Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të enjten se pengjet në Gaza duhet të lirohen të hënën ose të martën dhe se shpreson të marrë pjesë në një ceremoni nënshkrimi në Egjipt dhe t’i drejtohet Knessetit izraelit.
Trump hapi një takim të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë duke diskutuar një marrëveshje të arritur të mërkurën, sipas së cilës pengjet e mbajtura nga militantët e Hamasit do të lirohen në fazën e parë të një plani më të gjerë për Gazën.
Ai tha se besonte se kjo do të çonte në “paqe të qëndrueshme”.
Trump tha se sipas planit, Gaza do të “ribëhet ngadalë”, një referencë për planet për të rindërtuar enklavën palestineze.
Ai nuk dha detaje përveçse tha “ne do të krijojmë diçka ku njerëzit mund të jetojnë. Nuk mund të jetosh tani në Gaza”.
Siç vënë në pah mediat, përcjell Telegrafi, Hamasi pritet të lirojë 20 pengjet e gjalla së bashku, 72 orë pas fillimit të armëpushimit.
“Do t’i marrim pengjet përsëri të martën – të hënën ose të martën – dhe kjo do të jetë një ditë gëzimi”, tha Trump.
Trump theksoi se mund të jetë e vështirë të rikthehen menjëherë të gjitha mbetjet e pengjeve që vdiqën në robëri, “sepse disa nga trupat do të jenë pak të vështirë për t’u gjetur”.
Ai tha se do të përpiqet të bëjë udhëtimin atje për të marrë pjesë në një ceremoni nënshkrimi në Egjipt. Shtëpia e Bardhë është përpjekur të përpunojë detajet e udhëtimit të organizuar me nxitim.
Kneseti izraelit i ka kërkuar Trumpit të flasë, dhe presidenti tha se planifikonte ta bënte këtë nëse do t’i kërkohej.
Ndërsa mbeten pyetje rreth asaj që ndodh në rajon në planin afatgjatë, Trump tha se shpresonte që kjo të çonte në “një paqe të përjetshme”. /Telegrafi/