Thursday, February 26, 2026
spot_img
HomeLajmeTrump bisedon me Zelenskyn para negociatave në Gjenevë

Trump bisedon me Zelenskyn para negociatave në Gjenevë

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë biseduar përmes telefonit më 25 shkurt, bisedë që u konfirmua nga të dyja palët në kohën kur po intensifikohen përpjekjet diplomatike para negociatave në Gjenevë.

Kjo bisedë i paraprin një takimi kyç më 26 shkurt në Zvicër, ku sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes të Ukrainës, Rustem Umerov, pritet të takohet me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe këshilltarin e Trumpit, Jared Kushner.

Bisedimet në Gjenevë pritet të përqendrohen në një “paketë prosperiteti” të projektuar për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës, teksa do të hidhen hapa për organizimin e një samiti potencial trepalësh me Rusinë, që mund të mbahet në mars, sipas zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë.

Në një postim në rrjetet sociale pas telefonatës, Zelensky theksoi se të dërguarit e Trumpit morën pjesë në diskutim, i cili u përqendrua kryesisht në agjendën për rundet e ardhshme të diplomacisë.

“Presim që ky takim të krijojë një mundësi për t’i çuar bisedimet në nivelin e liderëve”, shkroi Zelensky, duke shtuar se Trumpi “e mbështet këtë renditje hapash”. Ai e cilësoi një samit të drejtpërdrejtë të liderëve si “të vetmen mënyrë për të zgjidhur të gjitha çështjet komplekse dhe të ndjeshme dhe për t’i dhënë fund luftës”.

Manovrimet diplomatike vijnë në një kohë kur Kievi po vë në pah dallimet thelbësore mes palëve ndërluftuese.

Më herët gjatë së mërkurës, kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre, Zelenskyy identifikoi “vullnetin politik” dhe “integritetin territorial” si pikat kryesore të mospajtimeve.

“Problemi lidhet me vullnetin politik për ta ndalur këtë luftë dhe me çështjen e territoreve”, tha Zelensky. Teksa pranoi dëshirën e administratës Trump për një përfundim të shpejtë të konfliktit, ai shprehu skepticizëm se grupet e punës në nivele më të ulëta mund të zgjidhin çështjet më të kontestuara.

“Nuk jam i sigurt se nesër do të kemi saktësisht një rezultat… për territoret”, u shpreh ai, duke përsëritur qëndrimin se për përparime të tilla bisedimet duhet të kalojnë në nivel liderësh.

Ndërkohë që Kievi ka sinjalizuar për një gatishmëri pragmatike për të shqyrtuar një ndërprerje të armiqësive përgjatë vijave aktuale të kontrollit, zyrtarët kanë theksuar se çdo armëpushim duhet të mbështetet nga garanci sigurie “të forta” nga Uashingtoni dhe aleatët evropianë.

Moska, megjithatë, vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga territore shtesë në rajonin lindor të Donjeckut, një kërkesë që Kievi e ka refuzuar në mënyrë kategorike.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, së voni ka hedhur në dyshim një takim Putin-Zelensky, duke ngritur pikëpyetje nëse pozicioni aktual negociues i Ukrainës ofron një “rrugë përpara”.

Në mes të përpjekjeve diplomatike, zyrtarët ukrainas dhe aktivistët kanë paralajmëruar se vetëm bisedimet nuk do të lëvizin Kremlinin nga qëndrimi i saj.

Në Uashington, ambasadorja ukrainase, Olha Stefanishyna, u tha gazetarëve më 24 shkurt se diplomacia duhet të mbështetet nga “fuqia”.

“Gjuha që e kuptojnë rusët nuk është dialogu apo përpjekjet diplomatike, është presioni”, tha Stefanishyna, duke argumentuar se sanksionet dhe qëndresa në fushëbetejë janë mjetet e vete efektive për të ndikuar në llogaritjet e Moskës.

Kërkesa për të rritur presionin po ashtu fitoi momentum në Kongres, ku ligjvënësit me ndikim republikanë argumentuar se administrata Trump duhet të zgjerojë mbështetjen ushtarake si nevojë për të pasur epërsi në negociata.

Më 24 shkurt, senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut bëri thirrje për furnizimin e Ukrainës me raketa lundruese Tomahawk. Graham argumentoi se aftësia për të goditur fabrikat e dronëve dhe raketave thellë brenda territorit rus është thelbësore, duke pohuar se “në këtë pikë, Putini nuk është serioz për përfundimin e luftës”.

Këtij qëndrimi i bëri jehonë në Senat edhe senatori republikan Jerry Moran nga Kansasi, i cili e përshkroi pushtimin rus si një “dështim strategjik”, të karakterizuar nga humbje masive njerëzore. Moran iu bashkua thirrjes për raketat Tomahawk dhe për ashpërsim të sanksioneve, duke këmbëngulur se Moskës nuk duhet t’i lejohet të shpallë fitore “as në fushëbetejë dhe as në tryezën e negociatave”.

Përfaqësuesi Don Bacon (republikan nga Nebraska), duke folur në Këshillin Amerikan për Politikë të Jashtme më 25 shkurt, e cilësoi mbështetjen për Ukrainën si çështje të precedentit botëror.

Ai argumentoi se ofrimi i armëve precize me rreze të gjatë veprimi dhe sanksionet “shkatërruese” janë të domosdoshëm për të treguar se Shtetet e Bashkuara nuk do ta tolerojnë “pushtimin e dhunshëm të territoreve”.

Pavarësisht disa takimeve mes zyrtarëve ukrainas, rusë dhe amerikanë gjatë këtij viti, edhe nuk është arritur një përparim vendimtar.

Teksa zyrtarë të lartë amerikanë kanë sinjalizuar privatisht dëshirën për të ruajtur vrullin diplomatik, hendeku mes kërkesës së Kievit për siguri dhe kërkesës së Moskës për territor mbetet i madh.

Zelensky ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me Putinin në një terren neutral, por suksesi i një takimi të tillë ka të ngjarë të varet nga rezultati i bisedimeve në Gjenevë dhe nga rundi i propozuar trepalësh në muajin mars.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT