Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka bërë thirrje amerikanëve të mos “shqetësohen për Kinën”, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve do të qëndrojnë të qëndrueshme pavarësisht përplasjeve të fundit tregtare.
“Mos u shqetësoni për Kinën, gjithçka do të shkojë mirë! Presidenti shumë i respektuar Xi sapo pati një moment të keq. Ai nuk dëshiron një depresion për vendin e tij, dhe as unë. Shtetet e Bashkuara duan ta ndihmojnë Kinën, jo ta dëmtojnë atë”, shkroi Trump në rrjetin social Truth Social.
Deklarata e tij vjen vetëm pak ditë pas rinisjes së ofensivës tregtare ndaj Pekinit. Të premten, Trump kishte njoftuar vendosjen e tarifave shtesë prej 100 për qind për mallrat kineze, përveç atyre që janë tashmë në fuqi, duke paralajmëruar se këto masa do të hyjnë në fuqi më 1 nëntor ose më herët.
Me këtë veprim, ai reagoi ndaj kufizimeve që Kina vendosi në sektorin e mineraleve të rralla – materiale me rëndësi strategjike për industrinë amerikane. “Kina ka ndërmarrë një hap të paprecedentë”, tha atëherë Trump.
Marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës, të cilat kanë përjetuar tensione gjatë vitit 2025, kohët e fundit kishin hyrë në një periudhë më të qetë. Trump kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin kinez Xi Jinping në shtator, të cilën e përshkroi si “shumë produktive”, ndërsa kishte përmendur edhe mundësinë e një vizite në Kinë vitin e ardhshëm dhe të homologut të tij në SHBA.
Megjithatë, tensionet janë ndezur sërish. Pekini njoftoi të premten se do të vendosë tarifa “speciale” për anijet amerikane në portet e saj, si kundërpërgjigje ndaj masave të ngjashme të Uashingtonit të ndërmarra në prill.
Nga ana tjetër, SHBA-ja tha se ka hequr “miliona” produkte kineze të ndaluara nga platformat e saj të tregtisë elektronike, duke thelluar më tej përplasjet tregtare mes dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!