Tronditet futbolli anglez: Ish-ylli i Arsenalit humb jetën në moshën 21-vjeçare pas një aksidenti horror në fushë

Tronditet futbolli anglez: Ish-ylli i Arsenalit humb jetën në moshën 21-vjeçare pas një aksidenti horror në fushë

Bota e futbollit është tronditur nga lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Billy Vigar, ish-sulmues i akademisë së Arsenalit, në moshën vetëm 21-vjeçare.

Vigar pësoi një dëmtim të rëndë në tru gjatë ndeshjes së fundjavës mes Chichester City dhe Wingate & Finchley, në kategoritë e ulëta të futbollit anglez. Në minutën e 13-të, ai u përplas me një mur betoni pranë fushës, duke kërkuar menjëherë ndërhyrjen e stafit mjekësor.


Paraqitja e menjëhershme e paramedikëve dhe transferimi me helikopter drejt një spitali në Londër nuk mjaftuan. Edhe pse iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente të martën, Vigar ndërroi jetë të enjten në mëngjes.

Billy Vigar

Familja e tij deklaroi me dhimbje: “Dëmtimi rezultoi shumë i rëndë për t’u përballuar… Familja është e shkatërruar që kjo ndodhi teksa ai po luante sportin që dashuronte”.

Edhe klubi Chichester City publikoi një njoftim zyrtar: “Me pikëllim të madh konfirmojmë ndarjen nga jeta të Billy Vigar. Kërkojmë që privatësia e familjes së tij të respektohet në këto momente të vështira”.

I rritur në akademinë e Hale End, Vigar u dallua në radhët e të rinjve të Arsenalit, duke luajtur për ekipet U18 dhe U21, përpara se të largohej në vitin 2024 pa debutuar me skuadrën e parë./Telegrafi/