Tri raste të ndara të dhunës në familje janë raportuar gjatë së dielës në Gjilan, Pejë dhe Prishtinë, ku policia ka ndërhyrë pas denoncimeve për keqtrajtim fizik dhe psikik brenda familjes.
Gjilan: Burri dyshohet se rrahu bashkëshorten
Rreth orës 16:10, në rrugën “Zahide Jashari” në Gjilan, një grua dyshohet se është keqtrajtuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Viktima S.A., 37 vjeç, ka pësuar lëndime të lehta trupore, ndërsa i dyshuari M.A., 39 vjeç, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj saj.
Njësiti i Hetimeve pranë Stacionit Policor në Gjilan ka ndërmarrë veprimet hetimore dhe ka siguruar provat për rastin. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Pejë: Djali dyshohet për dhunë psikike ndaj nënës
Një tjetër rast është raportuar rreth orës 18:00 në rrugën “Qamil Morina” në Pejë.
Viktima S.K., 60 vjeç, ka deklaruar se djali i saj, Ç.G., 28 vjeç, ushtron vazhdimisht dhunë psikike ndaj saj dhe dyshohet se përdor substanca narkotike dhe shet gjësende nga shtëpia pa lejen e saj për të siguruar para për drogë.
Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe e ka shoqëruar në stacion policor për intervistim. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Prishtinë: Konflikt mes bashkëshortëve nga xhelozia
Një incident tjetër familjar është raportuar në rrugën “Sadete Mekuli” në Prishtinë.
Bashkëshortët A.D., 39 vjeç, dhe R.S., 36 vjeç, përfshihen në një konflikt fizik, dyshohet për shkak të xhelozisë, sipas policisë.
Të dy janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, ndërsa R.S. ka marrë trajtim mjekësor. Me vendim të Prokurorit kujdestar, rasti është cilësuar “Dhunë në familje”, ndërsa të dy palët janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar sipas procedurave ligjore dhe mbeten nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


