Tuesday, January 13, 2026
spot_img
HomeLajmeTri ditë pas zjarrit, rifillon prodhimi në Comodita Home

Tri ditë pas zjarrit, rifillon prodhimi në Comodita Home

Vetëm tri ditë pas zjarrit që preku një pjesë të objektit, ‘Comodita Home’ ka dëshmuar se qëndrueshmëria dhe organizimi i fortë janë elementet përbërëse të saj, sot fabrika ka rifilluar prodhimin.

Pavarësisht dëmeve materiale, kompania ka vendosur të vazhdojë aktivitetin pa ndërprerje, për t’iu gjendur afër punëtorëve dhe për të ruajtur funksionimin e zinxhirit të prodhimit. Drejtoresha operative, Granita Bunari tha se ani pse po shfrytëzohet veç 60% të objektit, kjo i ka gëzuar punëtorët dhe riakomodimi i pajisjeve ka vijuar.

Që nga dita e incidentit, situata është ndjekur nga afër edhe nga institucionet lokale.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, vizitoi sërish fabrikën sot, ku u informua për gjendjen aktuale dhe ecurinë e punimeve nga pronari i kompanisë, Shkëlqim Devolli i cili sot shoqërohej edhe nga vëllai, Blerim Devolli, pronar i “Devolli Group”.

“Jam shumë i lumtur që sot ka rifilluar prodhimi. Është diçka e jashtëzakonshme ajo që ka bërë kompania. Unë besoj se ndërprerja e një prodhimi të tillë e shkëput një zinxhir të tërë ekonomik, sepse ndikon te pagat e punëtorëve, familjet e tyre dhe te shumë sektorë të tjerë të ekonomisë, u shpreh i pari i Gjakovës.

Gjini vlerësoi lart rëndësinë e Comodita Home për ekonominë lokale dhe atë kombëtare, duke theksuar se bëhet fjalë për një hallkë kyçe të industrisë prodhuese dhe eksportuese.

Rikthimi i shpejtë i prodhimit u përshëndet edhe nga komuniteti i biznesit. Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e cilësuan reagimin e Comodita Home si shembull të menaxhimit dhe përgjegjësisë korporative.

“Ky është lajmi ma i mirë për gjithë Kosovën, për ekonominë e Kosovës. Me të vërtetë duhet me ia heq kapelën z.Shkëlqim Devolli, që ka arritë në këtë periudhë kanë të shkurtë kohore ta rikthejë prodhimin dhe punëtorët të mos e ndjejnë ndaljen e prodhimit, ose uljen e eksportit”, pohoi Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Nga Oda Ekonomike Amerikane, s’u befasuan me rinisjen e punës.

“Nuk befasohem me rinisjen kaq të shpejtë të punës, duke e ditur krejt qëndrueshmërinë që e karakterizon edhe korporatën Devolli, edhe natyrisht pronarin e saj, Shkëlqim Devolli. Është diçka që e kemi parë përgjatë viteve, pavarësisht vështirësive një në vend i cili nuk ofron ndoshta kushtet më të mira për të bërë biznes, korporata Devolli gjithmonë ia ka dalë ”, u shpreh Zeka.

Edhe pse shkaku i saktë i zjarrit ende nuk është bërë i ditur, drejtuesit e kompanisë konfirmojnë se prodhimi po vazhdon me intensitet të shtuar dhe se ‘Comodita Home’ pritet shumë shpejt të rikthehet në kapacitet të plotë.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT