E errët, e ngrohtë dhe luksoze, kafeja çokollatë është një ngjyrë neutrale që kemi dashur dhe që na ka magjepsur gjatë sezoneve të fundit
E përjetshme dhe elegante, ajo ka zëvendësuar të zezën dhe bezhën, duke na entuziazmuar plotësisht. Dhe, duket qartë se edhe këtë sezon ngjyra çokollatë kafe nuk shkon askund.
Tashmë askush nuk mendon se kjo nuancë është e vështirë për t’u kombinuar. Përkundrazi! Ajo vishet në bazë veshjesh, në aksesorë, madje edhe në kombinime me të gjelbrën apo të verdhën që janë në trend.
Shtëpitë e modës si Chloé, Miu Miu dhe Courrèges na befasojnë vazhdimisht me mënyrat e tyre kreative për të interpretuar këtë ngjyrë. Ajo ka fituar zemrat tona, është e pranishme kudo dhe tani mbetet vetëm pyetja: si do ta veshim këtë nuancë në vjeshtën 2025?
Çanta e prej lëkure
Nëse dëshironi të përfshini ngjyrën çokollatë në stilin tuaj personal pa ndryshuar gjithë gardërobën, aksesorët janë zgjidhja ideale. Një çantë e madhe, e butë, prej kamoshi është ndër trendet më të spikatura të këtij sezoni, transmeton Telegrafi.
Motivet “Cow print”
Nëse ekziston një “animal print” që do të mbretërojë këtë sezon, janë padyshim pikat e lopës. Bardhë e pastër dhe çokollatë kafe krijojnë kontrast të fortë dhe duken më së miri kur kombinohen, siç e prisni, me veshje në ngjyrë kafe çokollatë!
Palltoja kafe
Nëse jeni ndër ato gra që preferojnë të investojnë në veshje të qëndrueshme dhe afatgjata, atëherë një pallto kafe çokollatë është zgjedhje e sigurt. Mund ta vishni po njësoj si një pallto klasike të zezë apo bezhë, thjesht me gjithçka që keni në gardërobë.
Këpucët ngjyrë çokollatë
Ky trend nuk ka nevojë për shumë koment, është ndër më dominuesit e sezonit. Nëse preferoni këpucë të sheshta, zgjidhni mokasina prej antilopi dhe kombinoni ato me çorape të bardha për një pamje moderne. Për një elegancë më të theksuar, këpucët me takë prej lëkure të punuar janë zgjedhja tjetër perfekte. /Telegrafi/