Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën të enjten mbrëma në rrugën “Ismet Ramadani” në Ferizaj.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:11, ku menjëherë pas raportimeve, policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar tre të dyshuar.
“Gjatë kontrollit janë konfiskuar dy armë zjarri të dyshuara se janë përdorur në këtë rast, ndërsa në vendngjarje janë gjetur edhe disa gëzhoja”, deklaroi Veseli.
Ai po ashtu bëri të ditur se nga hetimet e para nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet për zbardhjen e rastit janë ende në vijim.