Komuna e Gjilanit është në fazën përfundimtare të trajnimeve për mësimdhënësit, ku rreth 1,392 arsimtarë po marrin pjesë në këtë program profesionalizues që ofrohet falas për herë të parë.
Për të parë nga afër procesin, në vizitë ishin kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe drejtori i Arsimit, Shpend Nuhiu.
Ky i fundit bëri të ditur se trajnimi ka nisur në fund të majit dhe deri më tani janë përfshirë 45 grupe mësimdhënësish nga gjithsej 50 të planifikuara.
“Procesi i trajnimeve është drejt përfundimit dhe pritet të mbyllet brenda muajit shtator 2025. Seancat janë zhvilluar kryesisht gjatë fundjavave dhe synojnë ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit tonë arsimor”, deklaroi Nuhiu.
Trajnimet po realizohen nga Qendra KCIC, e cila është përgjegjëse për organizimin dhe zbatimin e tyre. /Telegrafi/