Pas hedhjes së shortit të Ligës së Kombeve në Bruksel, përzgjedhësi i Republikës së Irlandës, Heimir Hallgrimsson, ka komentuar Grupin B3, ku përveç skuadrës së tij bëjnë pjesë edhe Kosova, Austria dhe Izraeli.
Trajneri islandez e ka cilësuar grupin si shumë të fortë dhe sfidues për të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse, duke veçuar në mënyrë të posaçme formën e fundit të Kosovës.
“Është grup interesant. Do të jetë vështirë për ne, kemi kundërshtarë të fortë. Dhe madje Kosova, që ishte me renditjen më të ulët në grupin tonë, ka pasur me të vërtetë ecuri impresive nga 15 ndeshjet e fundit, me dy humbje, dy barazime dhe 11 fitore”, ka thënë Hallgrimsson të enjten, menjëherë pas shortit.
“Pra, me të vërtetë është një ecuri impresive”, ka shtuar ai.
Analiza e përzgjedhësit irlandez tregon se Kosova nuk shihet më si një kundërshtar i lehtë në skenën ndërkombëtare. Edhe pse renditet më poshtë në klasifikimin FIFA krahasuar me Austrinë dhe Irlandën, forma e fundit e “Dardanëve” ka tërhequr vëmendjen e të gjitha skuadrave në grup.
Deklaratat e Hallgrimssonit konfirmojnë se Kosova do të hyjë në këtë cikël të Ligës së Kombeve me respektin e fituar përmes rezultateve të fundit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


