Trajneri i Interit pas humbjes: Pashë shumë gjëra pozitive, por ta harrojmë të kaluarën

Trajneri i Interit pas humbjes: Pashë shumë gjëra pozitive, por ta harrojmë të kaluarën

Trajneri i Interit Cristian Chivu ka theksuar se pavarësisht humbjes dramatike 4-3 ndaj Juventusit, skuadra tregoi sinjale pozitive, por duhet të mësojnë të menaxhojnë më mirë momentet vendimtare.

Inter arriti dy herë të përmbyste rezultatin dhe të kalonte në avantazh 3-2 falë dopietës së Hakan Calhanoglu dhe golit me kokë të Marcus Thuram. Megjithatë, në minutat e fundit, bardhezinjtë përmbysën gjithçka me golat e Khephren Thuram dhe Vasilije Adzic, i cili realizoi një goditje spektakolare nga distanca në shtesë.


“Bëmë një paraqitje të mirë si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën. Fatkeqësisht, në 10 minutat e fundit nuk patëm qartësinë e duhur. Erdhëm për të marrë iniciativën, për të luajtur me karakter dhe për të fituar, jo për më pak. Por në fund na mungoi vendosmëria dhe nuk kuptuam që kërkohej diçka ndryshe”.

“Duhej ta menaxhonim më mirë ndeshjen. Juve nuk ngurroi ta largonte topin kur ishte në presion, ndërsa ne duhej të vepronim më me përvojë pasi kishim shpenzuar shumë energji për ta përmbysur rezultatin,” shtoi trajneri për “DAZN Italia”.

Cristian Chivu

Pika më pozitive për Interin ishte rikthimi i Calhanoglu, autor i dy golave të jashtëzakonshëm.

“E gjithë skuadra tregoi karakter, ndërsa Calhanoglu bëri atë që të gjithë prisnim prej tij. Ky është cilësia e tij dhe ajo që i jep ekipit”.

I pyetur për gjendjen psikologjike të skuadrës, e cila duket ende e ndikuar nga humbja 5-0 në finalen e Champions League kundër PSG-së, ai u shpreh:

“Kam parë gjëra të mira, edhe pse nuk kemi marrë pikë. Duhet të harrojmë disa gjëra nga e kaluara për të fituar qetësinë dhe fokusin që na duhen për të arritur rezultatet. Nuk kam asnjë ankesë për përkushtimin e lojtarëve”./Telegrafi/