Të paktën 36 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë një rrëmuje tragjike në një tubim zgjedhor për aktorin që është kthyer në politikan, Vijay, një nga figurat më të mëdha të kinemasë tamile, i cili ka hyrë së fundmi në skenën politike me partinë e tij të re.
Ma Subramanian, ministri i Shëndetësisë i shtetit Tamil Nadu, deklaroi se të paktën 40 persona janë plagosur në këtë ngjarje tragjike dhe konfirmoi se tetë fëmijë ishin mes viktimave.
Ngjarja ndodhi në qytetin Karur, ku një numër i madh i mbështetësve të Vijayt ishin mbledhur për ta parë atë nga afër. Sipas raportimeve të mediave indiane që citojnë zyrtarë vendas, rrëmuja u shkaktua kur një grup i madh fansash u rrëzua ndërsa përpiqej t’i afrohej autobusit të aktorit-politikan.
Pamjet filmike nga vendngjarja treguan Vijayn duke hedhur shishe uji nga maja e automjetit për t’i ndihmuar mbështetësit që po humbnin ndjenjat nga nxehtësia dhe shtypja, si dhe duke kërkuar ndihmën e menjëhershme të policisë kur turma u bë e pakontrollueshme.
Kryeministri indian Narendra Modi reagoi përmes një postimi në platformën X, ku tha: “Incidenti i pafat gjatë një tubimi politik në Karur, Tamil Nadu, është thellësisht trishtues.”
Edhe vetë Vijay reagoi përmes rrjeteve sociale pas incidentit duke shprehur ndjesë dhe dhimbje për humbjet në mesin e mbështetësve të tij, shkruan skynews.
Ngjarja e rëndë ka ngjallur reagime të shumta, sidomos përsa i përket sigurisë në aktivitetet politike të Vijayt, pasi nuk është hera e parë që ka pasur incidente të tilla. Sipas mediave, të paktën gjashtë persona kishin humbur jetën në një tjetër tubim të tij në tetor të vitit të kaluar, gjatë lansimit të partisë së tij “Tamilaga Vettri Kazhagam”, e krijuar në vitin 2024.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!