Të paktën 16 persona kanë humbur jetën pasi një zjarr i madh shpërtheu në një fabrikë veshjesh në Bangladesh, ndërsa zyrtarët kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet.
Sipas shërbimit zjarrfikës, trupat e 16 viktimave janë gjetur, por janë djegur përtej njohjes.
Të afërm të dëshpëruar u mblodhën jashtë fabrikës katërkatëshe në zonën Mirpur të Dhakës të martën, duke kërkuar të dashurit e tyre që ende konsiderohen të zhdukur.
Zjarri, i cili shpërtheu në fabrikë rreth mesditës, u shua pas tre orësh. Megjithatë, një depo ngjitur me kimikate vazhdonte të digjej, sipas autoriteteve, raporton BBC transmeton Sinjali.
Zjarret e mëdha janë mjaft të zakonshme në Bangladeshin e dendur me popullsi, shpesh për shkak të standardeve të dobëta të sigurisë dhe infrastrukturës së amortizuar. Qindra persona janë vrarë në zjarre gjatë viteve të fundit.
Deri në orën 21:00 me kohën lokale (15:00 GMT) dje, zjarri në depon e kimikateve në Mirpur ende nuk ishte shuar plotësisht, raportuan mediat vendase.
Zyrtarët e shërbimit zjarrfikës ende nuk e kanë përcaktuar se cili nga dy objektet ka marrë flakë i pari.
Sipas dëshmitarëve okularë, depoja e kimikateve ruante pluhur zbardhues, plastikë dhe peroksid hidrogjeni — substanca që mund të përshpejtojnë përhapjen e zjarrit. Djegia e plastikës gjithashtu liron tymra toksikë.
Drejtori i shërbimit zjarrfikës, Mohammad Tajul Islam Chowdhury, u tha mediave vendase se viktimat me shumë gjasë kanë vdekur “menjëherë” pasi kanë thithur “gazra jashtëzakonisht toksikë”.
Policia dhe ushtria janë ende në kërkim të pronarëve të fabrikës dhe depos, tha z. Chowdhury për gazetarët.
Ai shtoi se po zhvillohet edhe një hetim për të zbuluar nëse depoja ka operuar ligjërisht.
Familjarë të tronditur qëndronin jashtë ndërtesave të nxira nga zjarri, shumë prej tyre duke mbajtur fotografitë e të afërmve të zhdukur.
Mes tyre ishte edhe një burrë që kërkonte me dëshpërim vajzën e tij, Farzana Akhter.
“Kur dëgjova për zjarrin, vrapova menjëherë. Por ende nuk e kam gjetur… Dua vetëm ta kem vajzën time përsëri,” i tha ai agjencisë së lajmeve Reuters.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!