Prishtina është në qendër të vëmendjes politike. Trafiku i rënduar, mungesa e parkingjeve, pastërtia e qytetit dhe qentë endacakë – probleme të përditshme të kryeqytetit të Kosovës janë kthyer në premtime elektorale nga kandidatët për kryetar.
Shumë prej tyre nuk janë të reja, por ripërsëritje e fjalëve të dhëna në fushatat e kaluara zgjedhore – shpesh të pambajtura.
Zgjedhjet lokale në 38 komunat e Kosovës do të mbahen më 12 tetor.
Në garën për të udhëhequr komunën më të madhe të vendit, Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkon një mandat të dytë, pas periudhës 2021-2025.
Përballë tij, për herë të dytë garon edhe Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës.
Për herë të parë, sfidës i janë bashkuar Hajrulla Çeku i Lëvizjes Vetëvendosje, Bekë Berisha i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besa Shahini e Partisë Social-Demokrate, të cilët kanë nisur vrullshëm fushatën.
Kandidatë të tjerë që po ashtu garojnë për herë të parë për të marrë drejtimin e Prishtinës janë: Merkur Beqiri nga Alternativa, Nedime Belegu nga Epoka e Hyjneshës në Prishtinë, Agim Krasniqi nga Prishtina në dorën tënde, Fatmir Selimi dhe Lulzim Syla.
Fushata zyrtare tashmë është në ditën e gjashtë, ndërsa do të zgjasë gjithsej 30 ditë.
Trafiku, parkingjet dhe infrastruktura
Premtimet për zgjidhjen e trafikut të rënduar në Prishtinë janë kthyer në top-temë.
Kandidati i LDK-së, Përparim Rama, u zotua se do të krijojë lidhje të reja ndërmjet lagjeve për të lehtësuar qarkullimin në kryeqytet.
“Do ta jetësojmë lidhjen Kalabri-Dardani, duke krijuar lëvizje të natyrshme për banorët e këtyre dy lagjeve. Ndërkohë, makinat do të lëvizin përfundi”, tha Rama në hapjen e fushatës së LDK-së më 13 shtator në Prishtinë.
Por, kjo nuk është ide e re. Një raport i publikuar në qershor nga Instituti për Hulumtime të Avancuara – GAP në Prishtinë, që monitoron realizimin e premtimeve të kryetarëve të komunave, nxori në pah se Rama kishte dhënë të njëjtat zotime edhe në fushatën e vitit 2021.
Sipas këtij raporti, Rama nuk e përmbushi as premtimin për ndërtimin e të paktën katër parkingjeve të mëdha dhe as atë për sjelljen e autobusëve elektrikë – zotime që do të duhej të lehtësonin ndjeshëm trafikun e rënduar në kryeqytet.
Këtë boshllëk, siç duket, po synon ta shfrytëzojë rivali i tij, Uran Ismaili nga PDK-ja.
Në hapje të fushatës më 13 shtator, ai premtoi pesë parkingje të mëdha në hyrjet kryesore të qytetit, si mënyrë për të frenuar fluksin e veturave që vijnë nga jashtë.
Për më tepër, Ismaili u zotua se nëse fiton, në javën e parë të mandatit do ta hapë për qarkullim sheshin “George Bush”, të cilin Rama e kishte mbyllur për automjete.
Për Hajrulla Çekun nga Vetëvendosje, zgjidhja e trafikut në Prishtinë kalon përmes rritjes së transportit publik dhe uljes së përdorimit të automjeteve private.
“Kemi nevojë të rrisim flotën e autobusëve të trafikut urban”, tha ai, duke premtuar edhe krijimin e parkingjeve të mëdha në pikat hyrëse të kryeqytetit.
Besa Shahini nga PSD-ja shkroi në Facebook se investimi në transport publik “do të thotë më pak trafik në Prishtinë”, ndërsa Bekë Berisha i AAK-së premtoi në një paraqitje televizive se do t’i qaset zgjidhjes së këtij problemi përmes ndërtimit të një tuneli, si nënkalim për automjetet.
Qentë endacakë
Premtime të përsëritura apo të ngjashme ka edhe për qentë endacakë, të cilët vazhdojnë të jenë një problem i pazgjidhur për qytetarët e Prishtinës.
Rama e kishte premtuar trajtimin e tyre që në fushatën e vitit 2021, dhe një qendër për ta u hap vetëm në vitin 2024, megjithëse certifikimi i saj nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet ende në pritje.
Ismaili nga PDK-ja e riktheu këtë çështje në fokus, duke premtuar trajtimin e 5.000 qenëve endacakë sipas “praktikave më të mira”, ndërsa Çeku nga LVV-ja e renditi këtë si prioritet të tretë në agjendën e tij.
Qentë endacakë kanë mbetur problem që disa vite, dhe ndërhyrjet e rastësishme nga autoritetet komunale, si largimi i disa qenëve nga Parku i Qytetit në gusht të këtij viti, nuk kanë ofruar zgjidhje afatgjatë.
Pastërtia e qytetit
Në hapje të fushatës zgjedhore, Rama nuk foli fare për pastërtinë e qytetit dhe menaxhimin e mbeturinave.
Premtimet e tij të vitit 2021 për lansimin e një fabrike riciklimi për mbeturinat inerte dhe organike, si dhe për caktimin e lokacionit për pikën grumbulluese të mbeturinave të mëdha, sipas Institutit GAP, nuk u realizuan.
Në fillim të gushtit të këtij viti, Rama shpalli gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, duke fajësuar kompaninë rajonale publike “Pastrimi” për mosefikasitet.
Gjendje e jashtëzakonshme për të njëjtën arsye ishte shpallur edhe në vitin 2024, ndërsa kompania kishte mohuar kritikat për moskryerjen e punës si duhet.
Premtime konkrete për pastërti dhe menaxhim efikas të mbeturinave solli Ismaili.
Ai premtoi se mbeturinat do të mbahen larg nga lagjet, duke blerë 60 kamionë të rinj dhe duke punësuar ekipe të dedikuara për pastrim, që do të hartonin raporte javore të pastërtisë e që do të publikoheshin në ueb-faqen e komunës. Ky zotim është një përsëritje e premtimit të tij nga fushata e vitit 2021.
Çeku premtoi të aplikojë “modelin gjerman” për menaxhimin e mbeturinave, duke fuqizuar ndërmarrjen publike dhe duke i lejuar të kontraktojë edhe biznese private për punët që nuk mund t’i kryejë vetë.
Për fuqizimin e ndërmarrjes publike të pastrimit foli edhe Shahini, ndërsa Berisha tha se problemin do ta zgjidhte për “10 ditë”, duke mos treguar se si.
Të tjera
Kandidatët për të parin e kryeqytetit premtojnë edhe shkolla të reja, ndihmë për biznesin e sportin, ndriçim aty ku nuk ka e të tjera.
Sipas raportit të Institutit GAP, Rama, para se të fitonte garën për kryetar të Prishtinës në vitin 2021, dha 203 premtime. Prej tyre, ai realizoi 73 premtime, 37 u përmbushën pjesërisht dhe po aq nisën të realizohen. Ndërkohë, 59 premtime nuk u filluan fare.
Se si dhe kush do të ketë fatin t’i realizojë këto premtime për prishtinasit, mbetet të shihet pas 12 tetorit.
Deri atëherë, qytetarët kanë rreth tri javë kohë për të dëgjuar kandidatët dhe për t’u bindur se cili prej tyre meriton vërtet votën e tyre.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kanë të drejtë vote 2.069.098 qytetarë.
Nga këta, 2.025.105 janë të regjistruar për të votuar në vendvotime brenda Kosovës, ndërsa 43.993 kanë të drejtë të votojnë me postë nga jashtë vendit.
Për këtë proces zgjedhor do të hapen 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.