Totaj në Ditën e Boshnjakëve: Vlerë e shtuar e Prizrenit

Totaj në Ditën e Boshnjakëve: Vlerë e shtuar e Prizrenit

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, mori pjesë sot në manifestimin qendror me rastin e Ditës së Boshnjakëve, që u mbajt në fshatin Reçan të Zhupës.

Ngjarja u shënua me hapjen solemne të Sebiljit në qendër të fshatit – dhuratë nga biznesmeni dhe humanisti i njohur Hajriza Brçvak.


Në fjalën e tij, Kryetari Totaj vlerësoi kontributin e komunitetit boshnjak në qytetin e Prizrenit dhe më gjerë, duke theksuar se kjo ditë është dëshmi e traditës së harmonisë ndëretnike.

“Kam kënaqësinë e veçantë që sot, bashkë me qytetarët e Reçanit dhe të gjithë rajonit të Zhupës, ta shënojmë Ditën e Boshnjakëve. Hapja e Sebiljit në qendër të fshatit është simbol i unitetit dhe traditës boshnjake, që pasuron edhe më shumë mozaikun kulturor të Prizrenit” – tha Totaj.

Ai shtoi se Prizreni është shembull i bashkëjetesës ndër shekuj.

“Komuniteti boshnjak ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut të çmuar në kulturën, traditën dhe zhvillimin e qytetit tonë. Prizreni është më i begatë falë diversitetit dhe harmonisë që na bashkon të gjithëve”.

Në fund, Kryetari Totaj uroi qytetarët.

“Urime 28 Shtatori – Dita e Boshnjakëve! Le të vazhdojmë të kultivojmë bashkërisht vlerat e respektit dhe unitetit, që janë forca jonë më e madhe”.