Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, i ka reaguar deputetit të VV-së, Salih Zybës, i cili tha se një asistent i grupit parlamentar të PDK-së, ia solli sot një tortë për ditëlindje në kuvend deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiqit.
Behrami tha se sa herë që thesi i rrenave u harxhohet, VV-ja i kthehet Serbisë, Radoiçiqit e Listës Serbe, të cilat sipas tij, e mbajnë Albin Kurtin dhe VV-në politikisht gjallë.
“Sa herë që Kurti e humb betejën me popullin, përmes Dejonës, e ndërsyn tipin e Zybës, të cilin e ka bërë deputet me qykë të zorit për ta mbajtur grupin e tij parlamentar nën kërcënim të vazhdueshëm”.
“Por, për shpifjet e Zybës do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore, derisa demokracia do të triumfojë mbi tundimet autokrate të Kurtit”, tha Behrami, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai u shpreh se “sa për tortë, kumbarët e Listës Serbe në kuvend dihet kush janë”.
“Është Kurti me VV-në që kërkojnë votën e fshehtë për të siguruar votën e Listës Serbe. Sali Zyba nuk është as befasia e seancës, as shqetësimi i opinionit – është, thjesht, një aksident politik që përfaqëson standardin më të ulët të përfaqësimit parlamentar në historinë e Kuvendit të Kosovës”, tha ai.
The post “Torta për Simiqin”, Behrami i reagon Zybës: Për shpifjet tua, do ndjekim procedurat ligjore appeared first on Klan Kosova.