Top Kolshi u dënua vjet me 800 € gjobë për rrahjen e Enver Bajraktarit para 3 vitesh, sivjet e vrau dhe e groposi

Top Kolshi u dënua vjet me 800 € gjobë për rrahjen e Enver Bajraktarit para 3 vitesh, sivjet e vrau dhe e groposi

Top Kolshi i cili ndodhet në paraburgim si i dyshuar për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit, në vitin 2024 ishte dënuar nga gjykata euro gjobë për incidentin e vitit 2022, rrahjen e tani të ndjerit, rast ky për të cilin Klankosova.tv raportoi javën e kaluar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, e kishte shpallur fajtor Kolshin dhe dënuar me 6 muaj burgim, që më pas me pëlqimin e të akuzuarit ishte zëvendësuar me 800 euro gjobë, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas vendimit, më 25 gusht 2022 në fshatin Baicë, Komuna Lipjan, pas një mosmarrëveshje paraprake mes Top Kolshit dhe tani viktimës Enver Bajraktari, Kolshi e godet me gyp plastike në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.

“Me datë 25.08.2022, rreth orës 08:30 në fshatin B. në L., pas një mosmarrëveshje paraprake që kishin ndërmjet veti, i pandehuri T. K., me dashje dhe qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore e godet të dëmtuarin E. B., me gyp të plastikës në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, mjet ky i rrezikshëm që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit”, thuhet në këtë vendim.

Ekskluzive: Tri vjet më parë, Top Kolshi e kishte rrahur Enver Bajraktarin për një borxh

“…i dëmtuari si rezultat i goditjeve ka pësuar skuqje dhe ajtje të lehtë, gjakderdhje nën lëkurore në krah, 3 hematoma në shpinë, 5 hematoma në vithe, 3 hematoma në këmbën e majtë, 2 hematoma në kokë  si dhe skuqje dhe gërvishtje e veshit të djathtë, lëndime këto të shkaktuara nga goditja me mjet të fortë mbretës, që si të tilla, paraqesin DËMTIME TË LEHTA TRUPORE me pasoja të përkohshme të shëndetit”, thuhet në vendim.

Gjithnjë sipas vendimit, Kolshi në shqyrtim fillestar kishte pranuar fajësinë, ishte shprehur i penduar dhe i kishte premtuar Gjykatës se nuk do t’i përsërisë ato veprime. Kishte thënë se është pajtur me tani të ndjerin Bajraktari.

“Në shqyrtimin fillestar i pandehuri ka deklaruar se e ndin veten fajtor dhe e pranon fajësinë me vullnetin e tij, pa presion, me vetëdije të plote. Eshte shprehur i penduar, i vjen keq qe është ne gjykate, pas dy tri dite ka deklaruar se është pajtuar me Enverin dhe me familjen e tij. Gjykatës i ka premtuar se nuk e perserit me këtë vepër penale dhe nuk e ka perseritur dhe është duke punuar ne bujqesi per familje si dhe per veten. I ka premtuar gjykates se kjo nuk do te ndodhe më”.

Por fatkeqësisht, pas më pak se një viti nga shpallja e këtij aktgjykimi, Kolshi dyshohet se kreu krimin e rëndë.

 

The post Top Kolshi u dënua vjet me 800 € gjobë për rrahjen e Enver Bajraktarit para 3 vitesh, sivjet e vrau dhe e groposi appeared first on Klan Kosova.