Tomahawk për Ukrainën? Trump: Pothuajse kam vendosur por dua të di si do i përdorin

news image

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se pothuajse ka marrë vendimin për të transferuar raketat Tomahawk me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë.

“Tashmë e kam vendosur, pak a shumë,” u shpreh Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale, duke shtuar se para se të finalizojë vendimin, dëshiron të kuptojë se si do të përdoren këto armë: “Mendoj se dua të zbuloj se çfarë po bëjnë me to. E dini, ku po i dërgojnë. Mendoj se duhet ta bëj këtë pyetje.”, tha Trump.

Trump theksoi se qëllimi i tij është të shmangë përshkallëzimin e konfliktit dhe përsëriti se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës “nuk duhej të kishte filluar kurrë”, duke e përshkruar si pasojë të “vendimeve të këqija” nga të dyja palët.

Sipas tij, askush “nuk duket mirë në këtë luftë”.

“Ata humbën mbi 7,000 trupa këtë javë, nga të dyja palët së bashku. Çdo javë ata humbasin 7,000, 8,000, 5,000,” tha ai, duke cituar statistika për humbjet në front.

Kur u pyet nga një gazetar për rrezen e veprimit të raketave Tomahawk, Trump tha shkurt: “Nuk po kërkoj përshkallëzim”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/