E martë, 8 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeThemelorja ia refuzon Shaban Gogajt kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të dënimit

Themelorja ia refuzon Shaban Gogajt kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të dënimit

Gjykata Themelore në Pejë e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e të autorizuarit të të dënuarit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha, për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për Gogajn dhe e ka obliguar këtë të fundit që të lajmërohet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për fillimin e mbajtjes së dënimit, pas plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi.

Ndaj Gogajt, i dënuar për vrasjen e Agonis Tetajt nga pakujdesia, Gjykata e Apelit përmes vendimit të 3 tetorit 2024 ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë sa i përket veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, duke e dënuar me dy vjet burgim. Ndaj tij, u shqiptua dënim unik me 6 vjet e 6 muaj burgim. Kurse, më 24 tetor, Supremja e kishte liruar nga masa e paraburgimit, raporton Betimi për Drejtësi, transmeton Klankosova.tv.

Në aktvendimin e marrë më 25 nëntor 2024 nga Gjykata Themelore në Pejë, thuhet se më 21 nëntor 2024, i dënuari Gogaj përmes të autorizuarit të tij, avokatit Berisha, ka parashtruar kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit, me arsyetimin se është në gjendje të rënduar të shëndetit mendor, për shkak se ka qëndruar nën masën e paraburgimit për një periudhë prej më shumë se gjashtë vjetësh dhe se gjatë kësaj periudhe nuk ka mundur ta shfrytëzojë asnjërin nga beneficionet e parashikuara për të dënuarit.

Aty thuhet se periudha e gjatë në izolim, ia ka rënduar pozicionin personal e social, e që keqësimi i shëndetit mendor ka bërë që të kishte tendenca vetëvrasëse.

“…si pasojë, me datë 24.04.2020, Institucioni korrektues e kishte konsideruar si person me potencial për të kryer vetëvrasje, duke e vendosur në programin “përcaktimi i rrezikut për vetëvrasje”, thuhet në vendim.

Themelorja, po ashtu thekson se pas lirimit nga paraburgimi, familjarët të shqetësuar për gjendjen e përkeqësuar të Gogajt, e kishin dërguar atë për kontrolle mjekësore, ku i ishte rekomanduar familjarëve kujdes i shtuar ndaj gjendjes së tij, pasi thuhej se si pasojë e veprës së kryer nga pakujdesia është shoqëruar me ndjenja faji, vetëvlerësim negativ dhe humbje të vullnetit për jetën.

Andaj, bazuar në këto i ishte kërkuar kryetarit të Gjykatës që të aprovohet kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të dënimit deri në përmirësim të gjendjes shëndetësore të Gogajt.

Gjykata pa shqyrtimit të shkresave të lëndës, vlerësoi kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të dënimit dhe bazuar në provat e bashkëngjitura, konstatoi se kërkesa është e pabazuar, me arsyetimin se të dhënat e parashtruara në atë kërkesë nga ana e të dënuarit, nuk kanë bazë të mjaftueshme ligjore, për të cilat do vendosej të shtyhej ekzekutimi i vuajtjes së dënimit.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

<!–

–>

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT