Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari sot përmes një reagimi në Facebook insistuar se sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 2014-tës, votimi në seancën konstituive mund të jetë i fshehtë, sepse sipas tij, as Kushtetuta, as Rregullorja e Kuvendit nuk e përcaktojnë mënyrën e votimit në këtë rast.
Dehari tha gjithashtu se refuzimi për të votuar për komisionin e votimit të fshehtë është edhe refuzim i një të drejte të garantuar nga ligji, transmeton klankosova.tv.
”AKTGJYKIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE PËR KONSTITUIMIN E KUVENDIT
Pika 178 e Aktgjykimit thotë se as Kushtetuta, as Rregullorja e Kuvendit nuk përcaktojnë nëse mënyra e votimit në seancën konstituive duhet të jetë e hapur apo e fshehtë dhe se gjithashtu për seancën konstituive nuk vlejnë mocionet procedurale.
Neni 57 i Rregullores së Kuvendit nuk vlen për seancën konstituive, por vetëm për seanca plenare dhe atë vetëm në rrethana të caktuara, që janë shprehimisht të cekura në Rregullore.
Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar që nuk vlen mocioni procedural në seancën konstituive. Rrjedhimisht do të ishte shkelje nëse do të pyeteshin deputetët se a jeni për votim të fshehtë apo jo.
Lidhur me propozimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për kryetar të Kuvendit, ka pasur 6 votime të hapura të pasuksesshme. Si kryesues i seancës konstituive në frymën e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 kam propozuar votimin e fshehtë me qëllim të konstituimit të Kuvendit.
Vota për, kundër ose abstenim për komisionin për votimin e fshehtë nënkupton shprehjen e vullnetit të deputetëve për mënyrën e votimit. Normativisht, njëra mënyrë e votimit nuk ka më shumë vlerë a peshë sesa mënyra tjetër.
Refuzimi i deputetëve për të votuar komisionin është refuzim për të realizuar votimin e fshehtë, pra refuzim për realizimin e një të drejte, që e garanton Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”.
Kjo deklaratë e kryesuesit u përcoll me reagime të shumta nga disa deputetë të ish-opozitës.
Ishte deputeti i Partisë Demorkatike të Kosovës, Përparim Gruda i cili tha se Dehari më në fund pranoi një të vërtetë nga aktgjykimi i Kushtetueses se në seancën konstituive nuk lejohen mocione procedurale.
Sipas tij, ai nuk ka të drejtë ta hedhë në votim propozimin për Komision për Votim të Fshehtë, sepse siç tha Gruda, kjo shkel drejtpërdrejt paragrafin 187 të aktgjykimit kushtetues.
Një reagim për deputetin më të vjetër, erdhi edhe nga deputetja më e re e Kuvendit, Sala Jashari e cila njëkohësisht është edhe bashkëkryesuese me Deharin dhe tha se interpretimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje është bërë “sipas dëshirës”, pra në mënyrë që atyre iu konvenon.
Ajo për Klankosova.tv u shpreh se mënyra e trajtimit të seancës konstituive që nga fillimi nga ana e Deharit ka qenë partiake dhe selektive, e po ashtu, sipas saj, edhe në kundërshtim me parimin e neutralitetit institucional që duhet ta ketë një kryesues i përkohshëm.
Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, reagoi deputeti Paris Guri, duke thënë se e gjithë Kosova e ka kuptuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese njëjtë dhe sipas tij, vetëm 48 deputetët e VV-së e kanë kuptuar atë ndryshe.
Duket u thirrur në atë që thotë Gjykata tek pjesa për “praktikat e deritanishme”për konstituimin e Kuvendit, Guri për Klankosova.tv tha se në asnjë praktikë të deritanishme nuk ka pasur votim të fshehtë.
Në lidhje me po të njëjtën temë për Klankosova.tv foli edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cila tha se Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e saj e ka potencuar që votimi i fshehtë nuk duhet të ndodhë për zgjedhjen e kryetarit apo kryetares së re të Kuvendit.
“Le t’i siguron, masi po e konsideron le t’i sigurojë votat ne nuk mundemi me e ndalë. Edhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se seancat konstituive nuk janë mbajtur në frymë kushtetuese. Pikërisht në pyetjen që e kemi adresuar kanë thënë pikërisht se forma e votimit duhet të kthehet në praktikat e mëhershme”.
“Nëse i shihni praktikat e mëhershme, shihni a ka pasë ndonjëherë votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin, në asnjë formë”, ka thënë tutje Kadrijaj.
Ndryshe, pas dështimi të 42-të për themelimin e Komisionit për votim të fshehtë, seanca e radhës konstituive do të mbahet nesër nga ora 11:00./Klankosova.tv
The post Thellohet kriza e konstituimit, VV insiston në votimin e fshehtë, ish-opozita e cilëson të jashtligjshëm appeared first on Klan Kosova.