“Forca e Sigurisë së Kosovës është e paanshme dhe nuk mund të përdoret për veprimtari politike partiake”.
Kështu theksohet në Nenin 6 të Ligjit për FSK-në.
Gazetarja e Klan Kosovës, producente e emisionit “Kiks Kosova”, Ardiana Thaçi-Mehmeti, tha se ky nen i ligji ua ndalon partive politike ta politizojnë FSK-në.
Megjithatë, në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ajo tha se këtë gjë po tenton ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje.
“Ligji për FSK-në, Neni 6, e specifikon se FSK nuk duhet të politizohet nga asnjë parti politike. E kam përcjellë transformimin e TMK-së… Asnjë prej partive politike, me të gjitha të metat e tyre, nuk e kanë përdorur FSK-në për interesa personale, ose siç jemi tash në prag të zgjedhjeve që i është dashur patjetër LVV-së ta ketë diçka për veriun në dorë në mënyrë që të hyjë në zgjedhje si lokale, ashtu edhe nacionale, me një trofe që ne e dërguam ushtrinë e Kosovës në pjesën veriore të vendit”, deklaroi Thaçi-Mehmeti.
Për më tepër, ajo thotë se nuk duhet harruar se ky nuk është rasti i parë që FSK dërgohet në veri. Sipas saj, populli shqiptar shquhet për mbamendje të shkurtër, prandaj thotë se LVV udhëheq me këtë politikë.
“E kanë thënë shumë njerëz se ne si popull harrojmë çka ka ndodhur në të kaluarën. Dhe LVV udhëheq me këtë politikë që mendon se të gjithë e kemi trurin e shpëlarë duke menduar se ne kemi harruar çfarë ka ndodhur para 5-6 vjetësh. Edhe gjatë ditës së sotme kam biseduar me zyrtarë të KFOR-it të cilët ma kanë konfirmuar që FSK, përveç rasteve të përmendura nga Gjeneral Rama, kanë ndërtuar edhe ura në pjesën veriore. Unë kam qenë edhe në disa ushtrime që FSK i ka zhvilluar në pjesën veriore të Kosovës”, u shpreh ajo.
Ndër të tjera, gazetarja Thaçi-Mehmeti tha se krejt manovrat e sotme nga partia LVV po bëhen për vota, teksa kujtoi rastin e janarit të sivjetmë kur ministri Ejup Maqedonci u desh t’i kërkojë falje KFOR-it që e kishte dërguar gardën ceremoniale të FSK-së në veri, pa lejen e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.
“Kam qenë edhe vetë fizikisht me zyrtarë të FSK-së, dhe të KFOR-it në atë pjesë me ushtrime fushore. Këta thjeshtë e kanë përdorur këtë çështje sepse ju është dashur për vota. Kanë tentuar ta bëjnë edhe në janar të këtij viti të njëjtën gjë, kur e kanë dërguar gardën ceremoniale të FSK-së për të varrosur një pjesëtar të FSK-së atje dhe më pas është dashur ministri të kërkojë falje. Pra, e kishte dërguar FSK-në pa leje në veri”, deklaroi Thaçi-Mehmeti
Ajo potencoi se shkuarja e FSK-së në veri nuk është e ndaluar, por duhet patjetër koordinim me KFOR-in. /Klankosova.tv
The post Thaçi: LVV-së po i duhet FSK-ja në veri për vota – ushtria jonë ka ndërtuar edhe ura atje (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.