Në pikën kufitare në Vërmicë zyrtarët doganorë kanë gjetur 110 litra vaj ulliri të padeklaruara nga personi i cili po i transportonte, ndërsa kishte mohuar se kishte ndonjë gjë për të deklaruar.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se rasti ka ndodhur sot rreth orës 07:00.
“Në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 07:00, zyrtarët doganorë në Pikën Kufitare Vërmicë kanë ndaluar një automjet për kontroll të dytë. Pasi personi përgjegjës kishte mohuar se kishte ndonjë gjë për të deklaruar, ndërsa gjatë kontrollit të detajuar në automjet janë gjetur 110 litra vaj ulliri të padeklaruar, të vendosura në 22 bidona prej nga 5 litra secili”, thuhet në njoftim.
Personi përgjegjës për mallrat e padeklaruara nuk posedonte faturë përkatëse, duke kryer kështu kundërvajtje doganore sipas nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK-së).
Dogana e Kosovës rikujton qytetarët dhe udhëtarët se janë të obliguar të deklarojnë saktësisht çdo mall gjatë hyrjes në territorin e vendit dhe se mosdeklarimi përbën shkelje ligjore dhe sjell masa ndëshkuese. /Telegrafi/


