Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 45 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi masiv me dronë dhe raketa ruse në kryeqytetin e Ukrainës të enjten në mëngjes.
Ky ishte sulmi i parë i madh i kombinuar rus ndaj Kievit pas javësh pa incidente të tilla, ndërsa përpjekjet e paqes të udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës trevjeçare vazhdojnë, raporton AP.
Mes të vdekurve janë edhe dy fëmijë, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, duke cituar informacione paraprake. Shifrat e viktimave pritet të rriten, ndërsa ekipet e shpëtimit janë në vendngjarje për të nxjerrë njerëzit e bllokuar nën rrënoja.
“Rusia zgjedh balistikën në vend të tryezës së negociatave”, ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një postim në X pas sulmit.
“Ne presim një përgjigje nga të gjithë në botë që kanë bërë thirrje për paqe, por tani më shpesh heshtin në vend që të marrin qëndrime parimore”, ka shtuar ai.
Të paktën 20 vende në shtatë rrethe të Kievit janë sulmuar, ndërsa gati 100 ndërtesa janë dëmtuar, përfshirë një qendër tregtare në qendër të qytetit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!