Testi i gjakut për Alzheimerin mund të “revolucionarizojë” mënyrën e diagnostikimit

news image

Një test i ri gjaku për Alzheimer pritet të revolucionarizojë mënyrën se si diagnostikohet kjo sëmundje. Më shumë se 1,000 persona në Mbretërinë e Bashkuar me dyshime për demencë do t’i nënshtrohen testit, i cili mund të rrisë ndjeshëm saktësinë e diagnozës, ka raportuar BBC.

Shkencëtarët e University College London, që po udhëheqin provën, besojnë se testi do ta rrisë saktësinë e diagnozës nga 70 për qind në mbi 90 për qind. Testi zbulon biomarkerë të proteinave problematike amyloid dhe tau, që grumbullohen në tru deri në 20 vjet para se të shfaqen simptomat. Ai mat një biomarker të quajtur p-tau217 dhe kushton rreth 100 funte britanike.

Doktoresha Ashvini Keshavan dhe profersori Jonathan Schott, të dy nga UCL, po udhëheqin studimin mbi biomarkerët në gjak. Fotografi nga BBC

Deri më tani, konfirmimi i Alzheimerit ka qenë i mundur vetëm përmes skanimeve PET të trurit ose shpimit për të marrë lëngun cerebrospinal për ta testuar, procedura që shumë rrallë përdoren në praktikë. Vetëm 2 për qind e pacientëve kanë pasur qasje në këto metoda.

“Sondazhi ynë i fundit ka treguar se vetëm një e treta e njerëzve me demencë e përjetuan pozitivisht procesin e diagnozës, ndërsa shumë raportuan se kishin frikë ta merrnin diagnozë. Si rezultat, shpesh diagnoza jepet vonë, duke kufizuar qasjen në mbështetje, trajtim dhe mundësinë për të planifikuar jetën”, ka thënë profesoresha Fiona Carragher nga Alzheimer’s Society.

Studimi i ri, i quajtur ADAPT, tashmë ka nisur rekrutimin e pacientëve në Essex dhe do të shtrihet në 20 klinika në mbarë Britaninë. Gjysma e pjesëmarrësve do t’i marrin rezultatet e testit brenda tre muajve, ndërsa gjysma tjetër pas 12 muajsh. Shkencëtarët do të shohin nëse dhënia më e hershme e rezultateve ndihmon në përshpejtimin e diagnozës dhe vendimmarrjes për trajtimin.

Profesor Jonathan Schott nga University College London, i cili është edhe shef mjekësor në Alzheimer’s Research UK, tha se ishte i entuziazmuar për fillimin e provës.

“Ky është një hap kritik që shpresojmë të na çojë më afër revolucionit në mënyrën se si diagnostikojmë demencën”, ka thënë ai.

Nëse testi rezulton i suksesshëm, ai pritet të bëhet pjesë standarde e diagnostikimit, sidomos tani që disa ilaçe të reja për fazat e hershme të sëmundjes janë afër aprovimit.

Steven Pidwill, 71 vjeç nga Londra, partnerja e të cilit Rachel Hawley u diagnostikua me Alzheimer një dekadë më parë, ka thënë se një test i tillë do të ndryshonte gjithçka.

Steven Pidwill dhe Rachel Hawley. Fotografi nga BBC

“Një test gjaku i shpejtë dhe i saktë, i kombinuar me trajtime të reja, do të ishte ndryshim loje për familjet. Do ta shihnim Alzheimerin më shumë si një aftësi të kufizuar, jo si mallkim për të cilin nuk mund të flasim”, ka thënë Pidwill.

Rachel, sot 72 vjeçe, ka shtuar se mendon se ende e ka jetën shumë të lumtur dhe se është me fat në shumë mënyra.

Rezultatet e plota të studimit pritet të publikohen brenda tre vjetësh.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/