Rreziku nga cunami është larguar për Filipinet dhe Indonezinë, pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 goditi rajonin jugor të Filipineve në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Sipas Qendrës Kombëtare të Paralajmërimit për Tsunami të ShBA-së, tërmeti u regjistrua në orën 09:43 me orën lokale në ujërat pranë rajonit Mindanao, në një thellësi prej 23 kilometrash. Lajmi u raportua fillimisht nga Aljazeera.
Pas lëkundjeve, autoritetet filipinase dhe ato indoneziane lëshuan menjëherë paralajmërime për cunami, duke bërë thirrje për evakuim të banorëve të zonave bregdetare. Instituti Filipinas për Vullkanologji dhe Sizmologji njoftoi për mundësi të valëve mbi një metër dhe kërkoi evakuim urgjent në zonat jugore dhe qendrore të vendit.
Në Indonezi, paralajmërime u lëshuan për rajonet veriore të Sulawesi dhe Papua, megjithatë valët nuk i kaluan 50 cm.
Rreth dy orë pas tërmetit, Qendra për Paralajmërime për Tsunami në Paqësor, me seli në Honolulu (Hawaii), bëri të ditur se rreziku për cunami ishte larguar dhe se priteshin vetëm luhatje të lehta të nivelit të detit.
Deri tani nuk ka raportime për viktima, por në rrjetet sociale janë publikuar pamje që tregojnë dëme të konsiderueshme në ndërtesa dhe infrastrukturë, sidomos në qytetin Davao. Nxënës dhe banorë janë evakuuar nga shkollat dhe ndërtesat publike menjëherë pas tërmetit.
Presidenti Ferdinand “Bongbong” Marcos Jr. ka deklaruar se qeveria po ndjek nga afër situatën në terren dhe ka urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore të reagojnë me masa të menjëhershme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!