Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.9 të shkallës Rihter ka goditur Filipinet Qendrore, duke shkaktuar humbjen e jetës së mbi 60 personave, sipas zyrtarëve të menaxhimit të fatkeqësive.
Goditja ka prekur kryesisht qytetin e Bogos dhe disa qytete të tjera të rajonit, të cilat kanë shpallur gjendjen e katastrofës, ndërsa ekipet kanë nisur vlerësimin e dëmeve.
Tërmeti ndodhi pak para orës 22:00 sipas kohës lokale (14:00 GMT) të martën, në brigjet e qytetit Cebu. Si pasojë, shumë ndërtesa u dëmtuan, energjia elektrike u ndërpre dhe qindra familje mbetën pa strehë. Qyteti Cebu, me rreth një milion banorë, është një nga zonat më të banuara në vend dhe ka përjetuar pasiguri të mëdha pas goditjes.
Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë shpalli fillimisht një paralajmërim për cunami, por më pas e anuloi, duke theksuar se “çdo efekt për shkak të çrregullimeve të vogla të nivelit të detit ka kaluar kryesisht”.
Autoritetet ndërkohë vijojnë përpjekjet për shpëtim dhe ofrojnë ndihmë për të prekurit, ndërsa banorët e rajonit janë ende të tronditur nga shkalla e katastrofës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!