Tentoi të vrasë me makinë një 55-vjeçar në Durrës, 40-vjeçari shpallet në kërkim

news image

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 24 shtatorit në qytetin e Durrësit, ku një 55-vjeçar është goditur rëndë nga një automjet, drejtuesi i të cilit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Pas hetimeve të kryera nga Policia, është identifikuar autori i dyshuar, një 40-vjeçar nga Shijaku, i cili tashmë është shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit: “Goditi me automjet një 55-vjeçar duke e plagosur rëndë dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Pas veprimeve intensive hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim drejtuesi i automjetit. Nga veprimet hetimore dyshohet se 40-vjeçari ka tentuar të vrasë me automjet 55-vjeçarin. Vijojnë kërkimet për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e 40-vjeçarit, si dhe për gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit me të cilin goditi rëndë 55-vjeçarin.”

Ngjarja ndodhi më datë 24.09.2025, rreth orës 19:54, në rrugën “Vala e Detit” në Durrës, ku një automjet i paidentifikuar në ato momente goditi këmbësorin A. K., alias B. K., 55 vjeç, banues në Durrës, dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

“Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes,” thuhet në njoftim.

55-vjeçari është transportuar fillimisht në spitalin rajonal të Durrësit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar, pasi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Hetimet e mëtejshme zbuluan se automjeti që kreu përplasjen ishte një “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit A. B., 40 vjeç, lindur dhe banues në Shijak, raporton TCH.

“Shërbimet e Policisë, pas kontrolleve të ushtruara, kanë shpallur në kërkim shtetasin A. B., së bashku me automjetin. Shtetasi A. K., alias B. K., është transportuar në spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë më të specializuar dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak të plagëve të marra. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë,” vijon më tej njoftimi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/