Tentoi të trafikojë një të mitur në Kosovë, arrestohet 22-vjeçari në Morinë

Tentoi të trafikojë një të mitur në Kosovë, arrestohet 22-vjeçari në Morinë

Policia e Shtetit ka arrestuar në flagrancë një 22-vjeçar, me dyshimin se po tentonte të trafikonte një shtetase të mitur drejt Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare në pikën kufitare të Morinës, gjatë kontrollit në dalje të Shqipërisë, kanë ndaluar një automjet me drejtues E.G., 22 vjeç, banues në Berat, i cili po udhëtonte me A.K., 18 vjeç dhe një vajzë 14-vjeçare.


“Nga hetimet dyshohet se shtetasi E.G. po tentonte ta kalonte në kufi 14-vjeçaren, me qëllim trafikimin e saj në Kosovë”, njofton Policia.

Në kuadër të veprimeve hetimore, janë arrestuar në flagrancë: E.G., për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, A.K., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Policia njofton gjithashtu se më datë 28.09.2025, familjarët e vajzës 14-vjeçare kishin raportuar largimin e saj nga banesa në Durrës.

Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/