Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Bernjani, ka njoftuar se çmimet e naftës në vend po rriten për shkak të tensioneve të vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe Iranit, duke shkaktuar frikë për mundësinë e ndërprerjes së furnizimit me karburante.
Në një postim në Facebook, Bernjani tha se tensionet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të naftës, për shkak të pasigurisë në furnizim.
“Njoftim mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe ndikimin në sektorin e naftës: Çmimet e naftës po rriten për shkak të tensioneve në mes të Izraelit dhe Iranit. Kjo po shkakton frikë për ndërprerje të furnizimit, duke ndikuar në rritjen e çmimeve”, shkroi Bernjani.
Ai shtoi se “Irani prodhon një pjesë të madhe të naftës në botë dhe kontrollon ngushticën e Hormuzit, një pikë ku kalon afërsisht 20% e naftës botërore. Çdo eskalim i kësaj situate do të ndikojë më shumë në rritjen e naftës, ndërsa ndonjë marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga SHBA mund të qetësojë tregun e naftës”.
Përveç kësaj, Bernjani theksoi se çmimi i naftës në Kosovë ndikohet gjithashtu nga këto zhvillime gjeopolitike, pasi Kosova importon pjesën më të madhe të naftës. Çmimet aktuale të karburanteve në Kosovë, sipas Bernjanit, janë: Diesel – 1.14€-1.24€ dhe Benzin – 1.15€-1.25€.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!