E premte, 13 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmeTension në kufirin Armeni–Azerbajxhan: Banorët jetojnë në ankth nga të shtënat e...

Tension në kufirin Armeni–Azerbajxhan: Banorët jetojnë në ankth nga të shtënat e natës

Banorët e fshatit Khnatsakh në Armeni jetojnë nën ankthin e përnatshëm të të shtënave me armë që vijnë nga pozicionet azere përtej kufirit, raportoi agjencia “Reuters”. Çdo natë rreth orës 22:00, dëgjohen të shtëna që sipas fshatarëve, shpesh godasin shtëpitë, megjithëse nuk është raportuar për të lënduar, shkruan Gazeta Sinjali.

Autoritetet në Azerbajxhan mohojnë përfshirjen e forcave të tyre dhe i kanë hedhur fajin Armenisë për shkeljen e armëpushimit. Situata e tensionuar ka frikësuar banorët lokalë, të cilët raportojnë për largim të popullsisë nga fshati për shkak të pasigurisë.

“Është e vështirë të jetosh kështu, kemi fëmijë të vegjël dhe të moshuar”, tha 66-vjeçari Karo Andranyan, banor i fshatit. Ai beson se qëllimi i të shtënave është frikësimi i komunitetit dhe i garnizonit të vogël armen në zonë.

Kufiri i militarizuar mes dy vendeve ka qenë i mbyllur që nga vitet ‘90. Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra në katër dekadat e fundit dhe tensionet e vazhdueshme kërcënojnë stabilitetin e Kaukazit – një rajon me rëndësi strategjike për Rusinë, Iranin dhe Turqinë.

Edhe pse në mars palët ranë dakord për një kornizë traktati paqeje që përfshin demarkimin e kufirit dhe ndryshime kushtetuese në Armeni, nga ajo kohë janë shtuar raportimet për incidente përgjatë vijës kufitare.

SHBA ka paralajmëruar për “rrezik real” të një lufte të re, ndërkohë që retorika e ashpër vijon. Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, deklaroi në janar se Armenia paraqet një “kërcënim fashist” që, sipas tij, duhet të shkatërrohet.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT