Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur zbatimin e një orari të përkohshëm të punës si pasojë e kushteve të vështira në Pallatin e Drejtësisë, për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së klimatizimit në objekt.
Bazuar në Vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nr. 01/802 të datës 27 Qershor 2025 dhe pas konsultimeve të kryetares Albina Shabani Rama me udhëheqësit e departamenteve dhe administratës së gjykatës, është vendosur që nga sot orari i punës të reduktohet nga ora 08:00 deri në ora 14:00.
Shërbimet administrative do të vazhdojnë të jenë funksionale edhe pas orës 14:00, por me staf të kufizuar dhe sipas rotacionit të përcaktuar. Seancat gjyqësore të caktuara pas orës 14:00 do të zhvillohen sipas orarit, përveç nëse kushtet e punës i pamundësojnë ato, me vlerësim të gjyqtarit ose trupit gjykues.
Gjithashtu, stafi me sëmundje kronike do të lirohet nga puna nga ora 12:00, për të ruajtur shëndetin e tyre.
Masat e përkohshme do të vazhdojnë deri më 25 Korrik 2025, me mundësi rishikimi në varësi të kushteve klimatike dhe vlerësimeve të menaxhmentit të gjykatës.
Kjo masë synon mbrojtjen e shëndetit të stafit dhe palëve që marrin pjesë në procedura, duke marrë parasysh kushtet e vështira të punës në Pallatin e Drejtësisë.
The post Temperaturat e larta, Themelorja në Prishtinë redukton orarin e punës appeared first on Klan Kosova.