Ish futbollisti, tani drejtor sportiv te Sparta e Pragës Tomas Rosicky ka dhënë lëvdata për sulmuesin Albion Rrahmanin, i cili po pëlqehet nga klubet e top pesë ligave evropiane.
Rrahmani ishte pranë largimit nga gjiganti çek në ditën e fundit të afatit kalimtar veror, megjithatë Lyoni nuk i plotësoi kriteret që kërkonte Sparta (8 milionë euro) për ta lejuar kosovarin të largohet.
Në një intervistë për faqen e klubit, Rosicky ka konfirmuar se pëlqen tepër qendërsulmuesin dhe pritshmëritë për këtë të fundit janë shumë të larta.
“Ai e ka pasur këtu një sezon. Ka kaluar në situata të rëndësishme të cilat nuk i ka përjetuar diku tjetër dhe mendoj se ato e kanë bërë më të fortë. Jemi ende në një fazë ku nevojitet ana fizike dhe agresive, por ai është i fortë”.
Albion Rrahmani
“Sezonin e kaluar kemi pritur më shumë nga ai, e kemi parë potencialin, por ai duhet të vazhdojë. Mund ta shohim se klube nga top-pesë ligat janë interesuar për të. Megjithatë, nuk ka pasur asnjëherë debat nga asnjëra palë për largim të tij”, deklaroi Rosicky.
25-vjeçari këtë sezon ka zhvilluar 14 paraqitje për Sparta Pragën, duke kontribuar me tetë gola e një asistim në proces./Telegrafi/