Të shtëna me armë në qendër të Prishtinës – një person plagoset, autori në arrati

Të shtëna me armë në qendër të Prishtinës – një person plagoset, autori në arrati

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në rrugën “Garibaldi” në Prishtinë, ku një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima (mashkull kosovar) ka pësuar lëndime pasi një person tjetër, gjithashtu, dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të tij dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, përcjell Telegrafi.


Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit janë gjetur dhe konfiskuar tri gëzhoja të armës së zjarrit si dëshmi materiale.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitet hetimore po vazhdojnë punën për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

Rasti po hetohet si “përdorim i armës së zjarrit dhe shkaktim i lëndimeve trupore”. /Telegrafi/