Një sulm me parashutë gjatë një festivali dhe proteste në Mianmar ka vrarë të paktën 24 persona dhe ka plagosur 47 të tjerë. Lajmi është bërë i ditur për BBC nga një zëdhënës i Qeverisë së Unitetit Kombëtar në mërgim.
Rreth 100 persona ishin mbledhur në qytezën Chaung U të hënën në mbrëmje për festivalin Thadingyut, një festë kombëtare me rrënjë budiste, kur një parashutë me motor hodhi dy bomba mbi turmën, tha një zyrtar lokal nën Forcën e Mbrojtjes Popullore anti-junta.
Mianmari ka qenë në luftë civile që prej vitit 2021, kur ushtria mori pushtetin në një grusht shteti. Sipas vlerësimeve të OKB-së, konflikti ka vrarë më shumë se 5 mijë civilë.
Zyrtari i Forcës së Mbrojtjes Popullore i tha BBC-së se gjatë tubimit të së hënës, ata kishin marrë informacion për një sulm të mundshëm ajror dhe u përpoqën ta përfundonin shpejt protestën, por parashutistët mbërritën më herët se sa pritej.
“Ata mbërritën dhe e hodhën bombën brenda vetëm shtatë minutash. Kur ra bomba e parë, unë rashë në tokë, por më goditi pjesën e poshtme të gjurit. Kishte njerëz të vrarë pranë meje.”, tha ai.
Sipas dëshmive vendase, shkatërrimi i shkaktuar nga bombat e bëri të vështirë identifikimin e trupave të pajetë.
“Fëmijët u bënë copë-copë,” tha për AFP një grua që kishte ndihmuar në organizimin e eventit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!