Të paktën 13 persona të vdekur dhe rreth 30 të tjerë janë plagosur, pasi një sulmi vetëvrasës në Pakistanin jugperëndimor

news image

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe rreth 30 të tjerë janë plagosur pas një sulmi vetëvrasës jashtë një stadiumi të martën në mbrëmje në Pakistanin jugperëndimor.

Ngjarja ndodhi në periferi të Quettas, në Balochistan, në kohën kur mbështetësit e Partisë Kombëtare të Balochistanit po largoheshin nga një tubim. Sipas policisë, disa nga të plagosurit janë në gjendje kritike, raporton AP.

Udhëheqësi i partisë, Akhtar Mengal, mbeti i padëmtuar, por disa mbështetës të tij humbën jetën ose u plagosën, tha oficeri i lartë i policisë Usama Ameen.

Tubimi u organizua për të shënuar përvjetorin e vdekjes së Sardar Ataullah Mengal, një udhëheqës veteran nacionalist dhe ish-kryeministër provincial, i njohur për kritikën e tij ndaj qeverisë dhe për kërkesat për lirimin e nacionalistëve të zhdukur të Balochistanit.

Kryeministri i Balochistanit, Sarfraz Bugti, dënoi sulmin si një “akt frikacak të armiqve të njerëzimit” dhe urdhëroi kujdes maksimal mjekësor për të plagosurit, si dhe një hetim të nivelit të lartë për të sjellë autorët para drejtësisë.

Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Mohsin Naqvi, gjithashtu e dënoi sulmin, duke fajësuar “terroristët e mbështetur nga India dhe lehtësuesit e tyre” për përpjekjet për të destabilizuar vendin duke synuar civilët.

Qeveria e Pakistanit dhe Bugti kanë akuzuar shpesh Indinë për mbështetjen e talebanëve pakistanezë dhe separatistëve të Balochistanit, një akuzë që New Delhi e mohon.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/