E enjte, 26 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmehttps://klankosova.tv/te-padukshme-ne-shtetin-ku-jetojne-grate-shqiptare-ne-veri-pa-dokumente-pa-te-drejta/Të padukshme në shtetin ku jetojnë: Gratë shqiptare në veri pa dokumente,...

https://klankosova.tv/te-padukshme-ne-shtetin-ku-jetojne-grate-shqiptare-ne-veri-pa-dokumente-pa-te-drejta/Të padukshme në shtetin ku jetojnë: Gratë shqiptare në veri pa dokumente, pa të drejta – Klan Kosova

Filja, Dukatja e Diella, të gjitha marrin asistencë sociale nga shteti serb, meqë kurorën e kanë legalizuar në ndonjë nga komunat e afërta me kufirin e Kosovës, por ato nuk u mjaftojnë për të mbajtur familjen.

E në Kosovë e kanë të pamundur të përfshihen në asistencë sociale meqë u mungojnë dokumentet bazike.

“Paj, mundem me u shty, si me ta thanë, me kalu”, tregon File Bishevac, duke shtuar, “jo mirë, por kalojmë”.

Gazetarja: Sa është shuma e parave?

“Paj, 180 marr pension e 170 asistencë sociale, si i thonë”, thotë ajo.

Përveç asistencës sociale që merr nga Serbia, Dukate Gjukiq thotë se ka nevojë më shumë për mbështetje pasi që e ka të vështirë t’i rrisë tre fëmijët që ka.

“Po me të thanë të drejtën, ky nuk ka shku se i vjen edhe zor me shku me lyp ndihmë te këta të Kosovës e unë nuk kam kartën, pa pas kanun nuk muj as me ju ra në derë, kur të kesh dokumentet, atëherë të ndihmojnë”, tregon ajo.

Mungesa e dokumenteve të Kosovës, Diella Koshanit ia ka mohuar të drejtën dhe dëshirën për të punuar.

“Vështirësi është një fije se kur s’ke naj sen me punu, tash meqë janë rritë fëmijët, tash s’muj gjej as punë kurrëkund, në shtëpi, tan kohën”, tregon ajo për emisionin MAT në Klan Kosova.

Gordana Mihajloviq, Drejtore e Shëndetësisë në Komunën e Zubin Potokut, thotë se këto gra kanë certifikata martesore, por kanë problem me nënshtetësinë.

“Ato thjesht nuk kanë bërë përpjekje pasi institucionet vazhdimisht kanë ndryshuar, pala politike ka qenë valide ose jovalide, por konsideroj se ky është problemi më i madh. Mendoj se është dashur të aplikojnë për lejeqëndrim, kjo u lejohet të gjithëve, pasi secila prej tyre ka certifikatën e kurorëzimit si dëshmi se jeton në Zubin Potok”.

“Kur nuk e keni dokumentin bazë se ekzistoni, e në këtë rast është letërnjoftimi, thjesht në vendin ku jetoni nuk ekzistoni. Nuk mund të aplikoni për punë”, thotë Mihajloviq.

Ndërsa Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se “këtu nisin problemet”.

“As nuk mundesh me hy në listë të subvencioneve, ndihmës sociale nëse nuk e ke dokumentacionin e duhur, as nuk mundesh, dhe në një formë nuk mund t’i qasësh jetës ligjore institucionale sepse nuk është i regjistruar, s’ka letërnjoftim, nuk ka kurrëgjë mbi vete, kurse këtu kanë lindë fëmijë”, tregon Zeqiri për emisionin MAT në Klan Kosova.

Pas identifikimit të këtij problemi, kryetari i komunës, bashkë me organizatat që i janë ofruar për ndihmë, kanë senzibilizuar politikat qendrore të vendit, që kësaj kategorie të qytetarëve të Zubin Potokut t’u bëhet zgjidhje.

“Jemi mundu si organizatë, bashkë me organizatën Iniciativa Kosovare për Stabilitet, me Brikena Hoxhën, që të lobojmë në Prishtinë në mënyrë që sa më shpejt t’i marrin këto dokumente. Por problem që doli ndërkohë, duke bisedu ndërkohë, pastaj duke biseduar pamë që ato nuk kanë aplikuar, shumica nga to nuk kanë aplikuar dhe nuk e kanë ditë se si të aplikojnë, ose mendojmë ne për shkak të situatës politike në të kaluarën, kur ka qenë Lista Serbe dhe i ka ndalu – nuk u ka dhënë siguri popullatës në përgjithësi për t’i marrë dokumentet e Kosovës”, thotë Rreze Duli, Drejtore e Agjencionit për Zhvillim Rajonal në Veri, në një deklaratë për emisionin MAT në Klan Kosova.

Kryetari i komunës së Zubin Potokut thotë se shumë nga këto gra nuk i plotësojnë kushtet për të marrë dokumentacionin e nevojshëm.

“Edhe përmes zyrës së ARZh-së, kujtoj, kemi pas kontakte përmes aktivisteve e drejtoreshave e drejtorëve, e kemi senzibilizu këtë problem dhe e kemi pas një takim ku kanë marrë pjesë qindra qytetarë me probleme të tilla, dhe natyrisht që qeveria ka ofru një afat për lehtësim të regjistrimeve. Por sidoqoftë, procedurat – një pjesë e madhe nuk i plotësojnë edhe kushtet, qysh lypen procedurat ligjore e regjistrimit, po e zëmë si qytetare e Republikës së Kosovës”, thotë Izmir Zeqiri.

Redaksia e emisionit MAT në Klan Kosova ka dy javë që ka dërguar kërkesë për informacion lidhur me këtë problematikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht në Agjencinë e Regjistrimit Civil. Megjithatë, deri në momentin e transmetimit të këtij emisioni, nuk ka pranuar asnjë përgjigje — as përmes një interviste me ndonjë zyrtar kompetent, e as me shkrim në pyetjet e adresuara nga redaksia. Heshtja institucionale vazhdon edhe kur bëhet fjalë për të drejtat dhe jetët e dhjetëra grave që prej vitesh mbeten të padukshme në vendin ku jetojnë.

Të martuara më shumë se një dekadë me burra serbë në komunat veriore të Kosovës, këto gra shqiptare nga Shkodra sot jetojnë në një realitet të dyfishtë: janë nuse në Kosovë, por pa emër e pa status në këtë shtet. Pa dokumente, pa leje qëndrimi, pa të drejtë pune apo përfshirje në skema sociale, ato mbesin jashtë sistemit – të padukshme për institucionet.

Fjalët e shkuesve për një jetë më të mirë u zbehën përballë realitetit të vështirë ekonomik dhe mungesës së qasjes në të drejtat elementare. Megjithatë, këto gra nuk janë vetëm histori martese – ato janë nëna, punëtore, qytetare që duan të jenë pjesë e ligjshme e shoqërisë ku jetojnë. /Klankosova.tv

The post Të padukshme në shtetin ku jetojnë: Gratë shqiptare në veri pa dokumente, pa të drejta appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT