Të mërkurën, në fokus të NATO-s do të jenë Ballkani e Ukraina

Të mërkurën, në fokus të NATO-s do të jenë Ballkani e Ukraina

Tridhjetë e dy ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s do të takohen të mërkurën në Bruksel.

Ata do të diskutojnë se si ta bëjnë më të fortë mbrojtjen e NATO-s, gjithashtu edhe për progresin në zbatimin e objektivave të reja, përfshirë pajisjen e forcave të armatosura dhe gatishmërinë e tyre për të mbrojtur njerëzit.

Përveç luftës në Ukrainë, që do të jetë në fokus të takimit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s, gjithashtu në agjendë do të jetë edhe Ballkani Perëndimor, raporton gazetari i Klan Kosova nga Brukseli, Liridon Zeqiri.

Sipas një zyrtari të NATO-s, siguria në këtë pjesë të Evropës është thelbësore dhe që nuk do të lejojnë që të vihet në rrezik.

Në kuadër të mbrojtjes, NATO është duke kryer ushtrimin vjetor bërthamor “Steadfast Noon”, për t’u siguruar që pengimi bërthamor i Aleancës të mbetet i besueshëm, i sigurt dhe efektiv.

Ministrat e Mbrojtjes do të takohen në Bruksel nesër (15 tetor 2025) për të diskutuar se si ta bëjnë edhe më të fortë frenimin dhe mbrojtjen e NATO-s. Ky është takimi i parë i Ministrave të NATO-s që nga Samiti i udhëheqësve aleatë në Hagë, këtë qershor.

Ministrat do të ndajnë pikëpamje mbi zbatimin e misioneve dhe operacioneve të NATO-s, duke përfshirë ndër të tjera Rojën Lindore, Rojën Baltike, KFOR-in dhe Misionin e NATO-s në Irak.

Për më tepër, ata do të diskutojnë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, siguria e së cilës është e lidhur ngushtë me atë të Aleancës, duke përfshirë edhe një takim të Këshillit NATO-Ukrainë me ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës, Denys Shmyhal, dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas. /Klankosova.tv

The post Të mërkurën, në fokus të NATO-s do të jenë Ballkani e Ukraina appeared first on Klan Kosova.