Në Ditën e Shëndetit Mendor le të kujtojmë se kujdesi për mendjen është po aq i rëndësishëm sa kujdesi për trupin: Heshtja shpesh dhemb më shumë se vetë ankthi – është koha të kërkojmë ndihmë!
Miradije Statovci
Psikologe Klinike
Drejtoreshë e Poliklinikës “Galaxy”
Në një kohë kur flasim hapur për çdo aspekt të jetës, shëndeti mendor ende mbetet një nga temat më pak të diskutueshme, megjithëse ndikimi i tij në cilësinë e jetës është i pamasë.
Si psikologe klinike, çdo ditë përballem me histori që dëshmojnë se sa shumë njerëz vuajnë në heshtje, pa kërkuar ndihmën që meritojnë.
Trupi dhe mendja ecin bashkë
Shpesh kujdesemi për trupin, bëjmë analiza, kontrollojmë presionin e gjakut, por harrojmë të analizojmë gjendjen tonë shpirtërore.
Ankthi, stresi, lodhja emocionale apo mungesa e motivit nuk janë thjesht “fazë”, por sinjale të qarta që trupi dhe mendja kërkojnë pushim, qetësi dhe përkujdesje.
Në kulturën tonë, shpesh dëgjojmë: “mos u mërzit, do kalojë”, por për disa njerëz nuk kalon vetvetiu.
Për ta, duhet mbështetje, terapi, kuptim dhe mbi të gjitha – mosgjykim.
Të kërkosh ndihmë është forcë, jo dobësi
Në praktikën time profesionale, kam parë dhjetëra njerëz që kanë ardhur me frikë e pasiguri, por që janë larguar me shpresë dhe qetësi. Sepse ndonjëherë mjafton vetëm një hap, një bisedë, një dëgjim i sinqertë për të ndryshuar gjithçka.
Kërkimi i ndihmës psikologjike nuk është shenjë dobësie, por akt guximi dhe respekti ndaj vetvetes.
Askush nuk është imun ndaj vështirësive emocionale.
Prandaj, sa më herët ta pranojmë këtë realitet, aq më shpejt do ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme mendërisht. /Telegrafi/