Pasi e nisi edicionin në Serie A me tri fitore radhazi, Juventusi ka regjistruar katër barazime në të gjitha garat.
Të dielën nga ora 20:45, Juve luan një tjetër ndeshje të vështirë, derbin në shtëpi ndaj Milanit, në kuadër të xhiros së gjashtë.
Juve hyn në këtë ndeshje si një nga tri ekipet e vetme pa humbje deri tani, duke mbajtur vendin e katërt me 11 pikë. Milani, që është lider, ka një pikë më shumë.
“Kuqezinjtë” kanë pesë fitore radhazi në të gjitha garat, ndërsa në xhiron e parë u mposhtën 2:1 nga Cremonese.
Historiku i përballjeve mes tyre tregon se Juventusi është i pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit kundër Milanit, me tri fitore dhe dy barazime. Gjithashtu, “Zonja e Vjetër” nuk ka pranuar gol nga Milani në katër ndeshjet e fundit, ndërsa goli i fundit i Milanit ndaj Juves është i Olivier Giroudit më 28 maj 2023. Juve nuk ka humbje në dhjetë ndeshjet e fundit në “Allianz Stadium”.
Mediumet italiane raportuan të premten se sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, mund të startojë si titullar ndaj Milanit, për herë të parë që nga transferimi nga Lille në verë.
Në ndeshjet e tjera të xhiros, të dielën nga ora 18:00, kampioni Napoli përballet me Genoan. Napoli renditet i dyti me 12 pikë, ndërsa Genoa mban vendin e parafundit me dy pikë.
Të shtunën nga ora 18:00, Interi luan me Cremonesen. Të dy ekipet kanë nga nëntë pikë; Interi në vendin e pestë dhe Cremonese në pozitën e shtatë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Të dielën, derbi i madh: Juventus – Milan appeared first on Sinjali.