Robert Lewandowski është një nga lojtarët më me përvojë në La Liga dhe më i vjetri në dhomën e zhveshjes së Barcelonës.
Pothuajse dy dekada e ndajnë atë nga yjet më të rinj të ekipit, si Lamine Yamal, Cubarsi, Pedri, Gavi apo Balde.
Në një intervistë për The Times para ndeshjes Newcastle-Barcelona, polaku foli për ndryshimet e brezave brenda ekipit dhe mënyrën se si i afrohet roleve të reja si veteran dhe mentor.
Nga të bërtiturit tek dialogu
Lewandowski tha se iu desh të merrte përsipër rolin e mentorit dhe të mësonte se si të lidhej me lojtarët e rinj.
“Duhet të them se ishte një sfidë e madhe. Unë vij nga një brez ku veteranët ishin më të ashpër dhe të rinjtë kishin një profil më modest. Sot, situata është krejtësisht ndryshe. Më parë, të bërtisje ishte një metodë motivimi. Sot, nuk funksionon kështu. Duhet t’u shpjegosh gjërat në një mënyrë tjetër, të përqendrosh vëmendjen tek aspektet mendore dhe psikologjike të lojës. Ata nuk e pëlqejnë kur u bërtitet”, tregon Lewa.
Polaku shtoi se për t’u përshtatur me brezin e ri, duhet të komunikojë më shumë dhe të krijojë lidhje të forta me lojtarët e rinj, duke mos e humbur respektin dhe autoritetin si lider i ekipit.
Robert Lewandowski telegrafi.com
Marrëdhënia me të rinjtë
Lewandowski u ndal edhe tek incidenti i vitit 2023 me Yamalin në ndeshjen ndaj Alavesit, kur i bërtiti për një pasim të gabuar.
“Ishte një aksident. Marrëdhënia ime me Yamalin dhe Raphinha funksionon shumë mirë tani në treshen sulmuese të Barcelonës”.
“Në seancën time të parë stërvitore, ai ishte vetëm 15 vjeç dhe luajti kundër një mbrojtësi me përvojë si të donte. Nuk kam parë kurrë talent të tillë në atë moshë. Sfida e tij është të ruajë urinë për lojën për shumë vite, përballë pritjeve dhe mediave sociale”, tregon polaku.
Lewandowski dhe Yamal
Si shënon Lewandowski
Sulmuesi foli edhe për mënyrën se si shënon golat, duke iu treguar sekrete të tija brezave që po vijnë.
“Gjithmonë besoj se topi do të vijë tek unë. Kur të vijë, duhet të jem më i shpejtë se kundërshtari dhe të veproj automatikisht. Mos mendo, vepro. Kjo është mënyra ime”.
Ai komentoi gjithashtu për Ligën Premier dhe favoritët në Ligën e Kampionëve, këtë sezon.
“Klubet angleze janë ndër favoritët, por edhe Real Madridi, Barcelona dhe PSG janë shumë të fortë. Ata paguajnë shumë për lojtarët, edhe pa një sezon të mirë, duke blerë talente të rinj me shuma të mëdha. Tani çdo gjë është më intensive”, deklaroi Lewandowksi.
Lewandowski, duke festuar një nga golat telegrafi.com
Afër Manchester United dhe dëmtimet
Lewandowski zbuloi se kishte qenë afër transferimit te Manchester United në kohën e Alex Fergusonit, por transferimi nuk u realizua për shkak të vendimeve të Dortmundit. Ai foli gjithashtu për dëmtimet e fundit, të shkaktuara nga udhëtimet e shumta dhe gjumit të pakëndshëm gjatë përgatitjeve.
“Në Korenë e Jugut flija vetëm dy orë në natë në një shtrat të pakëndshëm, gjë që çoi në lodhje muskulore dhe dëmtime të mëvonshme”, tha ai. /Telegrafi/