Taylor Swift thyen rekordin historik të Adele me albumin “The Life of a Showgirl”

Taylor Swift thyen rekordin historik të Adele me albumin “The Life of a Showgirl”

Kur albumi “25” i Adeles doli para 10 vitesh, me këngën hit “Hello”, u shitën pothuajse 3.5 milionë kopje që në javën e parë — duke thyer rekorde që kishin qëndruar për një kohë të gjatë. Në atë kohë, industria e muzikës mendoi se në epokën e transmetimeve digjitale (streaming), asnjë album nuk do mund të arrinte më këto nivele shitjesh.

Por më pas erdhi Taylor Swift.


Albumi i saj më i ri, “The Life of a Showgirl”, i publikuar të premten, ka tejkaluar tashmë rekordin e Adeles. Sipas të dhënave fillestare nga firma e matjeve Luminate (të raportuara nga Billboard), “Showgirl” ka arritur mbi 3.5 milionë shitje të barasvlershme në SHBA vetëm në pesë ditët e para — dhe ende ka edhe dy ditë të mbetura deri në mbylljen e javës së parë të shitjeve, që përfundon të enjten.

Kjo arritje vjen edhe pse reagimet ndaj albumit kanë qenë të përziera. Taylor Swift është mësuar të marrë lavdërime nga kritikët dhe fansat, por kësaj here komentet kanë qenë të ndryshme — disa shumë pozitive, por edhe të tjera goxha të ashpra. Për shembull, Pitchfork i dha albumit një vlerësim 5.9 nga 10, ndërsa The Guardian vetëm dy yje nga pesë. Në rrjetet sociale ka pasur mjaft fansa të zhgënjyer, përkrah atyre që vazhdojnë ta mbështesin.

“Nuk më shqetëson kjo. E mirëpres kaosin”, tha Swift në një intervistë me Zane Lowe nga Apple Music. “Unë nuk jam policia e artit”, shtoi ajo.

Për të promovuar albumin “The Life of a Showgirl”, Taylor e promovoi atë me një dokumentar 89-minutësh në kinema që përfshiu premierën e videoklipit “The Fate of Ophelia” si dhe pamje nga prapaskenat e realizimit të video-klipit.

Disa kritikë e krahasuan këtë ngjarje me materialet shtesë që shihen në DVD. Vetëm nga ky aktivitet, Swift fitoi 33 milionë dollarë në shitjet e biletave në SHBA dhe Kanada, duke kaluar edhe filmin më të fundit të Dwayne “The Rock” Johnson, “The Smashing Machine”.

Pse është kjo e rëndësishme? Sepse tregon që, edhe pse shumica e njerëzve sot dëgjojnë muzikë përmes platformave si Spotify apo Apple Music, formatet tradicionale si CD-të dhe disqet vinyl ende luajnë një rol të madh në suksesin komercial të një albumi.

Shifra prej 3.5 milionë përfaqëson një numër të kombinuar: përfshin dëgjimet në streaming, blerjet e këngëve individuale dhe shitjet e albumit të plotë. Por ja ku qëndron pika më interesante: nga këto 3.5 milionë, rreth 3.2 milionë ishin blerje të plota të albumit — dhe 2.7 milionë ndodhën vetëm ditën e parë të publikimit! Kjo do të thotë se shumica e fansave e kishin porositur albumin paraprakisht. Swift nuk publikoi asnjë këngë të veçantë përpara se të dilte albumi i plotë.

Siç raporton The New York Times, 300,000 shitjet e mbetura të barasvlershme për albumin e ri të Taylor Swift gjatë javës së parë të publikimit i atribuohen dëgjimeve në platformat streaming, sipas të dhënave nga Luminate dhe Billboard.

Deri tani, bilanci i shitjeve përfshin edhe 1.2 milionë kopje të shitura në formatin vinyl, duke e kaluar rekordin e mëparshëm të vetë Swift prej 859,000 kopjesh me albumin “The Tortured Poets Department” vitin e kaluar. Shifrat e saj të shitjeve në vinyl janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Kur publikoi “Midnights” në vitin 2022, ai u hap me 575,000 kopje të shitura në vinyl; ndërsa “1989 (Taylor’s Version)”, vitin pasardhës, arriti në 693,000 kopje.

Në vitin 2006, kur Taylor Swift nisi karrierën e saj muzikore, industria muzikore amerikane kishte regjistruar vetëm rreth 900,000 shitje të disqeve vinyl për të gjithë vitin, sipas të dhënave nga Shoqata Amerikane e Industrisë së Regjistrimeve (RIAA).