Taylor Swift ka arritur një tjetër sukses historik në karrierën e saj – albumi i saj i ri, “The Life of a Showgirl”, ka shitur plot 3.5 milionë kopje në javën e parë të publikimit, duke thyer kështu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Adele.
Ky rekord modern i shitjeve javore më parë i përkiste albumit të Adele, “25”, i cili në vitin 2015 kishte arritur 3.378 milionë kopje të shitura në javën e parë.
Fansat e Taylor kishin shpresuar që të thyhej edhe rekordi i Adele në Apple Music për numrin më të madh të renditjeve në vendin e parë si në kategori albumesh ashtu edhe këngësh.
“The Life of a Showgirl” regjistroi 3.2 milionë shitje fizike dhe digjitale, ndërsa 300 mijë kopje të tjera u arritën nga transmetimet online (streaming), duke e çuar totalin në 3.5 milionë njësi të shitura.
Në krahasim, albumi “25” i Adele kishte arritur 3.482 milionë njësi ekuivalente, prej të cilave 3.378 milionë ishin shitje tradicionale dhe pjesa tjetër nga transmetimet online.
Një numër rekord prej pesë milionë fansash e kishin ruajtur paraprakisht (pre-save) albumin e Taylor në Spotify, ndërsa edicioni special në vinyl, i disponueshëm vetëm online, u shit plotësisht brenda më pak se një ore.
Albumi i fundit i Taylor, “The Life of a Showgirl”, i publikuar javën e kaluar, ka ndarë kritikët në mendime – por vetë këngëtarja duket se e ka pritur me kënaqësi këtë “kaos” të reagimeve të ndryshme.
Në një intervistë për “The Zane Lowe Show” në Apple Music, ajo tha: “E mirëpres kaosin, sepse është pjesë e natyrshme e showbizit. Nëse gjatë javës së parë të publikimit po përmendni emrin tim ose titullin e albumit, atëherë po më ndihmoni”.
“Kam shumë respekt për opinionet subjektive mbi artin – unë nuk jam ‘policia e artit’. Secili ka të drejtë të ndjejë siç dëshiron. Ne, si artistë, kemi për detyrë të jemi pasqyra e atyre ndjenjave”.
Ajo shtoi se muzika e saj shpesh reflekton gjendjen e saj shpirtërore: “Shpesh, një album është mënyra më e çuditshme dhe më e sinqertë për të parë veten. Ajo që po kalon në jetë ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si lidheni me muzikën time”.
Swift gjithashtu siguroi fansat se nuk ka ndërmend të ndalet së shpejti: “Unë jam këtu për një kohë të gjatë. Kur bëj muzikë, gjithmonë e kam mendjen tek trashëgimia që dua të lë pas”.
Ajo shtoi: “E di çfarë kam krijuar. E adhuroj këtë album dhe gjithçka që përfaqëson — sepse tema e ‘Showgirl’ është pikërisht kjo: të përballesh me çdo lloj kaosi e ta kthesh në art”.
Aktualisht, rekordin për më shumë këngë në vend të parë në Apple Music Songs e mban Adele me hitin “Easy On Me”, i cili ka arritur majat e klasifikimeve në 121 shtete.
Ndërkohë, të 12 këngët e albumit të ri të Taylor Swift janë aktualisht në 12 pozitat e para në Apple Music. /Telegrafi/