Albumi i ri i Taylor Swift, “The Life of a Showgirl”, më në fund ka dalë në treg, dhe interneti, siç pritej, është mbushur me reagime të shumta të fansave – nga entuziazmi i madh, deri te hutimi. Megjithatë, pas shuarjes së euforisë fillestare, vëmendjen e adhuruesve e kanë tërhequr akuza se në materialet promovuese të albumit janë përdorur mjete të inteligjencës artificiale (AI).
Promovimi i albumit ishte konceptuar si një lojë kërkimi për thesarin, ku fansat në 12 qytete të ndryshme kërkonin 12 dyer portokalli të fshehura. Çdo derë kishte një kod QR, që zbulonte video të shkurtra promovuese – dhe pikërisht këto video janë bërë qendra e debatit.
Një përdoruese e TikTok-ut ka vënë në dukje disa mospërputhje vizuale. “Shikoni formën e këtij dritari lart dhe krahasojeni me dritën që hyn në dhomë… Forma e dritës në dysheme nuk përputhet aspak me dritaren”, shpjegoi ajo në videon e saj.
Në një prej videove të zbuluara në Barcelona, shfaqej një palestrë brenda një ndërtese shumëkatëshe, por peshat dhe pajisjet dukeshin të shtrembëruara dhe jo të sinkronizuara me hapësirën. Fansat me sy të mprehtë vunë re gjithashtu një pajisje për vrapim me butona të çuditshëm, përfshirë një me shenjën “MOP”. Në një tjetër skenë, mbishkrimi “Honey” mbi një shtëpizë zogjsh ndryshonte font në dy pamje të ndryshme të së njëjtës video.
Nuk vonoi shumë dhe fansat u përfshinë në diskutim, me mendime të ndara. “Është e pabesueshme të jesh miliardere dhe të mos paguash një artist të vërtetë – për çfarë po kursen para?”, shkroi një komentues. Ndërkohë, një tjetër shtoi: “Mendoj se njerëzit duhet të vendosin paralajmërime kur përdorin inteligjencën artificiale”.
Një përdorues tjetër ishte i bindur se pamjet janë krijuar nga AI: “Kjo është 100 për qind inteligjencë artificiale. Një tjetër tregues i qartë është që ka ndërprerje çdo gjashtë sekonda, ndërsa kamera qëndron statike, me vetëm zmadho dhe zvogëlime të thjeshta”.
Megjithatë, shumë fansa dolën në mbrojtje të Taylor Swift, duke theksuar se përdorimi i teknologjisë së re nuk është problematik. “Fakti që Taylor përdor AI në videot e saj nuk është skandal – jemi në vitin 2025. Të thuash se nuk duhet ta përdor vetëm sepse është e pasur është si t’i thuash Spielbergut të ndalojë përdorimin e CGI-së”, shkroi një ndjekëse.
Të tjerë besojnë se ka çështje më të rëndësishme për t’u diskutuar. “Në botë po ndodhin shumë gjëra më serioze, dhe kjo nuk është as afër atij niveli,” shkruhej në një koment tjetër. Një tjetër shtoi me ironi: “Flisni sikur Taylor të jetë ulur vetë para laptopit dhe të ketë gjeneruar këto video”.
Nga ekipi i këngëtares ende nuk është dhënë një koment zyrtar mbi këto pretendime. /Telegrafi/