Taulant Kelmendi e publikon online programin për Pejën

Taulant Kelmendi e publikon online programin për Pejën

Kandidati i LVV-së për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, ka bërë publike platformën e tij zgjedhore edhe në formë digjitale, duke e bërë të qasshme për qytetarët përmes faqes taulantkelmendi.com.

Në këtë platformë janë të përfshira masat konkrete për zhvillim ekonomik e social, projektet për katër vitet e ardhshme, kandidatët për Asamble si dhe vizioni i tij për një Pejë më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të bashkuar.


“Pa premtime boshe, vetëm hapa të qartë dhe projekte që sjellin rezultate reale. Peja është shtëpia e përbashkët, dhe ne do ta kthejmë mirëqenien, krenarinë dhe dinjitetin e shtëpisë tonë”, thuhet në njoftimin e Kelmendit.

Platforma digjitale ofron hapësirë që qytetarët të lexojnë, japin sugjerime dhe kontribuojnë me ide për projektet që lidhen drejtpërdrejt me jetën e tyre të përditshme.

Sipas Kelmendit, kjo platformë është udhërrëfyes i një qeverisjeje të ndershme dhe të afërt me qytetarin, që synon të sjellë rezultate të prekshme për Pejën.