Tashmë ka ide se kush mund të jetë rivali i mundshëm i Shqipërisë në play-offin e Kupës së Botës

Tashmë ka ide se kush mund të jetë rivali i mundshëm i Shqipërisë në play-offin e Kupës së Botës

Shqipëria ka bërë historinë në Beograd. Fitorja 0-1 ndaj Serbisë nuk është vetëm një sukses emocional dhe simbolik, por edhe një hap madhor drejt Kupës së Botës 2026.

Sipas faqes së specializuar “Football Meets Data”, kuqezinjtë kanë tani 79% shanse për t’u kualifikuar në fazën e play-off-it të Kampionatit Botërorit – një rritje e ndjeshme pas triumfit të mbrëmshëm.


Nëse ky skenar do të realizohej, llogaritjet statistikore tregojnë se Shqipëria ka 21% mundësi për t’u përballur me Republikën Çeke si rivalin më të mundshëm në raundin e play-offit.

Pamja nga ndeshja Shqipëri – Çeki

Pas saj vijnë Polonia dhe Hungaria me nga 17%, Skocia me 11%, Uellsi me 6%, ndërsa më pas renditen Sllovakia me 5%, Suedia, Ukraina dhe Sllovenia me nga 4%, Rumania me 3%, Greqia me 2% dhe Turqia me 1%.

Vlen të theksohet se probabiliteti maksimal i përballjes mes dy skuadrave është 25%, pasi çdo ekip në renditje ka gjithsej katër kundërshtarë të mundshëm në short.

Përveç Shqipërisë, ekipet me shanset më të mëdha për të arritur në këtë fazë janë Rumania, Suedia, Çekia, Italia, Maqedonia e Veriut, Polonia, Ukraina dhe Turqia, të gjitha me mbi 90% gjasa.

Festa e lojtarëve pas golit ndaj Serbisë telegrafi.com

Ndërkohë, Kosova ruan 33% shanse për të shkuar në play-off, një përqindje që e mban ende në garë për ëndrrën botërore.

Si funksionon play-offi?

Në këtë fazë do të marrin pjesë 12 skuadrat që përfundojnë të dytat në grupet kualifikuese të UEFA-s, si dhe katër ekipet më të mira nga UEFA Ligës së Kombeve që nuk kanë siguruar kualifikimin direkt. Aktualisht, këto janë Uellsi, Rumania, Irlanda e Veriut dhe Moldavia, ndërsa Suedia mund t’u bashkohet në varësi të rezultateve të fundit.

Në shortin e play-offit, 16 ekipet do të ndahen në katër vazo me nga katër skuadra: tre vazot e para sipas renditjes së FIFA-s të nëntorit, ndërsa vazoja e katërt do t’i përkasë katër ekipeve nga Liga e Kombeve.

Kupa e Botës

Skuadrat nga vazoja e parë do të ndeshen me ato të katërtat, ndërsa të dytat me të tretat. Fituesit kalojnë në finalen e 31 marsit, ku shorti do të vendosë se kush luan në shtëpi.

Në fund, katër skuadra fituese nga play-off-i do t’i shtohen 12 ekipeve të kualifikuara direkt, duke kompletuar 16 përfaqësueset evropiane në Kupën e Botës 2026.

Një hap gjigant për Shqipërinë dhe një ëndërr që tashmë duket më afër se kurrë. /Telegrafi/