Tani mund të kërkoni këngë në Spotify përmes ChatGPT

Tani mund të kërkoni këngë në Spotify përmes ChatGPT

Spotify ka njoftuar një bashkëpunim me OpenAI për të ndihmuar përdoruesit të gjejnë këngët e tyre të preferuara, të krijojnë lista të personalizuara për këngë dhe të marrin rekomandime për podcast në Spotify me ndihmën e ChatGPT.

Për të filluar, duhet të filloni një bisedë me ChatGPT dhe të përfshini Spotify në pyetjen tuaj.


Herën e parë që e bëni këtë, do t’ju kërkohet të lidhni llogarinë tuaj Spotify.

Sapo një llogari Spotify të lidhet me ChatGPT, një përdorues mund t’i kërkojë ChatGPT këngë, albume, artistë, lista këngësh ose podcaste, dhe aplikacioni do të hapë automatikisht Spotify në bisedë dhe do të përdorë kontekstin përkatës për të përfunduar detyrën.

Spotify rekomandon që përdoruesit të përfshijnë sa më shumë detaje të jetë e mundur në pyetjen e tyre për rezultatet më të mira, të tilla si zhanri, artisti dhe tema.

Megjithatë, vlen të përmendet se përdoruesi nuk mund të dëgjojë muzikë ose podaste brenda ChatGPT, por mund të hapë përmbajtjen e rekomanduar direkt në Spotify duke klikuar mbi të në një bisedë ChatGPT.

Spotify deklaron se ky integrim i ChatGPT është i disponueshëm për përdoruesit si në nivelin falas ashtu edhe në atë premium.

Përdoruesit falas do të jenë në gjendje të përdorin katalogun e listave të këngëve të Spotify, siç janë Discover Weekly dhe New Music Friday, të cilat janë tashmë të disponueshme në aplikacion, ndërsa përdoruesit Premium “mund të shkojnë një hap më tej duke e bërë Spotify të shndërrojë pyetjet e tyre më komplekse në një përzgjedhje të freskët dhe plotësisht të personalizuar këngësh”.

Ky integrim i Spotify është gjithashtu i disponueshëm në ChatGPT në anglisht në 145 vende për përdoruesit falas, plus dhe pro të ChatGPT, si në internet ashtu edhe në pajisjet mobile (Android dhe iOS). /Telegrafi/