Zëdhënësi kryesor i talebanëve ka hedhur poshtë me vendosmëri kërkesën e Donald Trump për të “marrë përsëri” Bazën Ajrore të Bagramit në Afganistan.
Në një intervistë ekskluzive me Sky News, Zabihullah Mujahid tha: “Afganët nuk do të lejojnë kurrë që toka e tyre t’i dorëzohet askujt në asnjë rrethanë”.
Por anëtari i lartë i talebanëve theksoi se qeveria e tij kishte zhvilluar bisedime me SHBA-në për rihapjen e ambasadës afgane në Uashington DC dhe ambasadës amerikane në Kabul, përcjell Telegrafi.
Ai tha: “Ne e kemi diskutuar këtë çështje dhe dëshirojmë të shohim ambasadat të rihapen si në Kabul ashtu edhe në Uashington”.
Kanë kaluar katër vjet që kur talebanët erdhën në pushtet dhe vetëm Rusia e ka njohur zyrtarisht qeverinë e tyre.
Por Mujahid mohoi se ata kanë një “problem legjitimiteti”, duke pretenduar se shumë vende privatisht e kishin njohur udhëheqjen e tyre.
Afganistani është në mes të një krize ekonomike dhe ka përjetuar thatësira të rënda.
Por në një intervistë të gjerë, Zabihullah Mujahid tha se vendi kishte gëzuar “paqe dhe stabilitet relativ nën një qeveri të bashkuar” me më shumë siguri dhe “shenja të dukshme të rimëkëmbjes ekonomike”. /Telegrafi/