Talebanët thonë se Afganistani “nuk do ta dorëzojë kurrë” bazën ajrore të Bagramit, pavarësisht kërcënimeve të Trump

Talebanët thonë se Afganistani “nuk do ta dorëzojë kurrë” bazën ajrore të Bagramit, pavarësisht kërcënimeve të Trump

Një zyrtar i lartë talebanësh të martën hodhi poshtë kërkesën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump që Kabuli të dorëzojë bazën ajrore të Bagramit, duke këmbëngulur se objekti është një pjesë e pandashme e Afganistanit.

Duke folur për Al Arabiya English në një intervistë ekskluzive, zëdhënësi kryesor i qeverisë së talebanëve, Zabihullah Mujahid, tha: “Bagrami është pjesë e territorit të Afganistanit. Nuk është ndryshe nga asnjë copë tjetër toke afgane. Ne kurrë nuk do të pranojmë të negociojmë ose të dorëzojmë ndonjë pjesë të vendit tonë”.


Ai shtoi se “afganët janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj pushtimit dhe asnjë afgan nuk do të lejojë kurrë që toka e tyre të merret ose kontrollohet nga të huajt – as edhe një inç”.

Bagrami, i vendosur në veri të Kabulit, ishte instalimi më i madh ushtarak amerikan në Afganistan dhe qendra e luftës së tij dy-dekadëshe kundër talebanëve.

Forcat amerikane e braktisën atë në korrik 2021, disa javë para kthimit të talebanëve në pushtet.

Dhe Trump të shtunën kërcënoi me ndëshkim nëse baza nuk u kthehet amerikanëve.

“Nëse Afganistani nuk ua kthen Bazën Ajrore të Bagramit atyre që e ndërtuan, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, GJËRA TË KEQIJA DO TË NDODHIN!!!”, shkroi ai në Truth Social.

Siç theksojnë mediat, zëdhënësi konfirmoi bisedimet me zyrtarët amerikanë, por theksoi se ata janë përqendruar në shkëmbimet e të burgosurve, marrëdhëniet diplomatike dhe investimet ekonomike – jo në Bagram, të cilin ai e përshkroi si të panegociueshëm.

Trump tha të enjten se SHBA-të po përpiqeshin të rifitonin Bagramin sepse talebanët “kanë nevojë për gjëra nga ne”.

I pyetur për këtë, Mujahid pranoi se Afganistani kërkon investime të huaja, përfshirë nga SHBA-të, por tha se kjo nuk do të thotë që Bagrami është në shitje.

“Afganistani nuk paraqet dhe nuk do të paraqesë kurrë ndonjë kërkesë që përfshin heqjen dorë nga një pjesë e territorit të tij në këmbim. Asnjë kërkesë e tillë nuk është bërë nga ana jonë, as nuk ka nevojë për të”, ka thënë Mujahid. /Telegrafi/