Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka konfirmuar përmes një postimi në rrjetet sociale takimin e planifikuar me presidentin amerikan, Donald Trump, më 25 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
“Gjatë takimit tonë në Shtëpinë e Bardhë me homologun dhe mikun tim të çmuar, Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të diskutojmë shumë çështje me aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara, me të cilët kemi marrëdhënie të gjera strategjike, kryesisht në tregti, investime dhe industrinë e mbrojtjes.
Unë besoj se takimi që do të zhvillojmë me Presidentin Trump do të kontribuojë në përfundimin e luftërave dhe konflikteve në rajonin tonë, brenda kuadrit të vizionit tonë të përbashkët për paqen botërore, dhe do të forcojë më tej bashkëpunimin midis vendeve tona”, shkroi Erdogan.
Edhe Trump kishte paralajmëruar këtë takim disa ditë më parë, duke nënvizuar marrëdhëniet e ngushta me homologun turk.
“Jam i kënaqur të mirëpres presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Shtëpinë e Bardhë më 25 shtator. Ne po punojmë me Presidentin për shumë marrëveshje tregtare dhe ushtarake, duke përfshirë një blerje në shkallë të gjerë të avionëve Boeing, një marrëveshje të madhe F-16 dhe vazhdimin e bisedimeve për F-35, të cilat presim të përfundojnë pozitivisht. Unë dhe Presidenti Erdogan kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë. Pres me padurim ta shoh më 25!”, kishte shkruar Trump në Truth Social.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!