Takimi me emisarët francezë, Krasniqi: PDK votoi për zhbllokimin e Kuvendit

news image

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka zhvilluar të mërkurën një takim me të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, si dhe ambasadorin francez në Kosovë, Olivier Guerot.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se në këtë takim u diskutua për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

“E falënderova për vëmendjen që Franca i kushton Kosovës dhe rajonit tonë, sidomos në këto kohë sfidash globale. E ritheksova se rruga më e drejtë dhe më e shpejtë për të mbyllur kapitullin e Ballkanit Perëndimor është integrimi sa më i shpejtë i vendeve tona në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se në takim u fol edhe për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për rëndësinë e funksionimit të institucioneve.

“Biseduam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe për nevojën që vendi ynë të ecë përpara, me institucione funksionale dhe me dialog konstruktiv. Në këtë drejtim, e njoftova emisarin Troccaz që si PDK, ne kemi dhënë kontributin tonë, si përgjegjësi politike, por edhe si vetëdije institucionale, duke votuar kryetarin e Kuvendit në funksion të zhbllokimit të situatës”, ka deklaruar ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/